Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në orën 17:00 në seancë plenare për të zhvilluar raundin e katër të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndër kandidaturat e propozuara vetëm nga LSI-ja. Në njoftimin zyrtar thuhet:
"Bazuar në urdhrin nr. 39, datë 27.4.2017 të Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta dhe në vendimin nr. 10, datë 27.4.2017 të Konferencës së Kryetarëve, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Për zhvillimin e votimit të katërt për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. (neni 87, 88 të Kushtetutës, neni 109 Rregullore Kuvendi, votim me shumicë të cilësuar me 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) "
Kryeministri Edi Rama deklaroi qartë mbrëmë në Top Story se Ilir Meta "është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi patur deri më tani; është një President i lidhur me të gjithë. Ka akses tek të gjithë, flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se çfarë mendon.
Kjo është një zgjidhje ideale edhe për vetë PD. Edhe sot Ilir Meta është kandidat për President që vjen natyrshëm sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President.
Po të mos ishte kjo situatë, Meta do të ishte në krye të betejës për të marrë edhe më shumë deputetë dhe për të qenë në vazhdimësi pjesë e jetës politike aktive. Nesër Ilir Meta zgjidhet President i Republikës me mbështetjen e plotë të LSI dhe PS", tha Kryeministri Rama në një intervistë për Top Story.