INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“South Outdoor Festival” një portret piktoresk i rinisë shqiptare! Aventurë, eksperiencë dhe magji në bregdetin shqiptar [FOTO]

“South Outdoor Festival” një portret piktoresk i rinisë shqiptare! Aventurë, eksperiencë dhe magji në bregdetin shqiptar [FOTO]

Publikuar më: 17:01 01-05-2019

Nga Irini Meçe

Një fundjavë aspak e zakonshme ishte kjo që sapo lamë pas në Borsh, në fshatin piktoresk të Shqipërisë së Jugut. Qindra turistë shqiptarë dhe të huaj e pushtuan atë për të shijuar dhe për të përjetuar nga afër emocionet e festivalit të aventurës ‘South Outdoor Festival’.

Borshi u shndërrua për të gjithë të pranishmit në qendrën e kulturës dhe argëtimit këtë fundprill, në edicionin e tretë të “South Outdoor Festival”.

Ishte hera e parë që mora pjesë në këtë festival dhe kur e preka nga afër ndjeva një ndjenjë pendimi që kisha humbur 2 edicionet e kaluara. Sapo afroheshe tek fusha e madhe e Borshit, që ishte vetëm 400 metra larg detit, ti menjëherë do të ndjeje energjinë pozitive të këtij fesitvali dhe do të bindeshe që argëtimi do të ishte i sigurt.

Prezenca e kashtës, e tabeleve orientuese me tekstet si ‘Fun’, ‘Drinks’, ‘Cinema’, ‘Cocktails’, ‘Food’ dhe qilimeve me motive tradicionale shqiptare, të bënin që të futeshe menjëherë në botën e viteve 60’ të stilit hippie. Ai vend m’u duk shumë i gjallë dhe ishin pikërisht këto elemente që bënin diferencën dhe të jepnin përshtypje sikur ishe në Coachella.

rfsdg.png

qgsf.png

Fusha e Borshit me ullinjtë tipikë ishte vendtakimi për të gjithë pjesëmarrësit në këtë festival, ku aty bashkoheshin dhe mblidheshin për të ngrënë mëngjesin, drekën dhe darkën me ushqimet tradicionale të vendit dhe për të shijuar muzikën live deri në orët e para të mëngjesit. ‘Këtu ushqehet fshatçe‘, kjo ishte motoja që kishin vendosur organizatorët dhe mund të them që ishte një gjetje interesante. 

Balona me buzëqeshjen gjigande të shoqëronte gjatë ditës, por akoma më shumë ëmbël buzëqeshte gjatë perëndimit të diellit.

6ytu.png

 

Mëngjeset në Borsh (një fshat i cili është i njohur për për ullishtet dhe prodhimin e vajit, manadarinat, portokallet, për potencialin agro- turistik, historinë, kështjellën mbi kodër), ishin shumë të bukura, ku ndjeje zhurmën e lehtë të dallgëve të detit të kaltër të fshatit piktoresk dhe pozitivitetin e njerëzve sapo kishin hapur sytë. A do kishte zgjim më të bukur se të bësh joga në det, kur dielli sa ka nisur të lindë? Unë mendoj se jo.

Gjatë ditës e kishe të vështirë për të gjetur shumë njerëz tek fusha, sepse të rinjtë energjikë ishin shpërndarë për të ndjekur aktivitet e ndryshme që ky festival siguronte, plot 32 të tilla.
Hiking në shkëmbinjtë e maleve, Jeep Safari deri në fshatin Nivicë, mountain biking, ndërsa më guximtarët vendosën që të mposhtnin frikën nga lartësitë dhe të përjetonin ndjenjën e lirisë duke fluturuar përgjatë vijës bregdetare të Borshit dhe këtë eksperiencë unike sigurohej Xhonatan Islami që ta përjetoje. Nëpërmjet Trike Flying, Hot Air Balloon dhe Paragliding, të gjithë të rinjtë guximtarët përjetuan një eksperiencë emocionuese që do ta kujtojnë gjithmonë.

Gjithashtu nuk munguan as sportet e detit si Gara Stand Up Paddling, Sailing, Paddleboard Yoga dhe Individual Stand Up Paddling që të mundësonin për të eksploruar të gjithë jugun shqiptar.
Interesantja gjatë këtyre 4 ditëve në Borsh ishte fakti që bashkë me ‘South Outdoor Festival’ përkoi edhe festa e Pashkëve dhe organizatorët e festivalit kishin menduar edhe për këtë. Një hapësirë me grupe me fëmijë dhe të rinj ngjyrosën vezët dhe gatuan bukën së bashku vetëm për një qëllim që ta bënin këtë festival të paharrueshëm.

Cover_Photo_SUP_0.jpgSOF18-202.jpgAHP_2563_0.jpg

 

Të paktën për mua e tillë do të ngelet, një fundjavë, një festival dhe një eksperiencë e paharrueshme. Jam ndjerë shumë e lumtur teksa shihja të rinj energjikë, aventurierë dhe që e duan jetën.
Ata të rinj treguan që e duan adrenalinën, sportin, muzikën, natyrën, ushqimet tradicionale dhe për më tepër ata treguan se sa shumë duan të jetojnë. Edhe pse ata nuk flisnin, ju lexoj qartë dëshira dhe që thellë brenda tyre po bërtisnin që ‘e duam jetën, ndaj na lini të jetojmë’ dhe pikërisht këtë bëri ‘South Outdoor Festival’. Përgjatë 4 ditëve, ky festival aventurash iu shkarkoi çdo energji negative të akumuluar nga monotonia mbytëse e Tiranës së zhurmshme.

Dhe për ta përmbledhur, ‘South Outdoor Festiaval’ ishte një aventurë perfekte dhe tregoi që të rinjtë nuk duan vetëm kafenetë, por natyrën dhe sportet e ndryshme. Në një mënyrë të tërthortë e dha një mesazh tek të gjithë të tjerët, që të shtohen të tilla aktivitete në çdo kohë.

Article Logic
Execution time: 0.0033049583435059