INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Spanja hap portat, anija ''Aquarius'' do të shoqërohet nga...

Spanja hap portat, anija ''Aquarius'' do të shoqërohet nga...

Publikuar më: 07:44 13-06-2018

Organizata humanitare që po kujdeset për 629 emigrantët e bllokuar në një anije të ndalur në afërsi të brigjeve malteze, thotë se dy anije italiane do t’i ndihmojnë ata të hyjnë në portin spanjoll të Valencias, raporton TCH.

SOS Méditerranée dhe zyrtarët spanjollë thanë se “Aquarius-it” do t’i bashkohen një anije italiane e rojës bregdetare dhe një anije ushtarake. Emigrantët janë shpëtuar nga disa gomone pranë brigjeve të Libisë.


Si Italia, ashtu edhe Malta kanë refuzuar të lejojnë “Aquarius” të ankorohet në portet e tyre. Më herët, ekuipazhi tha se anija nuk mund të udhëtonte drejt Spanjës, pasi ishte e tejmbushur dhe kushtet e detit po përkeqësoheshin.

Sidoqoftë, emigrantëve u janë dërguar ushqime nga marina malteze dhe autoritetet italiane. Roja bregdetare italiane thotë se lundrimi drejt Valencias pritet të marrë katër ditë.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, që u ul në detyrë një javë më parë, tha se ai do të mirëpriste “Aquarius-in”, pasi Italia dhe Malta e refuzuan. Autoritetet nacionaliste në ishullin francez të Korsikës po ashtu u treguan të gatshme të prisnin “Aquarius”, para se plani më i fundit në të cilin përfshihen anijet italiane, të shpallej.

Mes emigrantëve, janë shtatë gra shtatzëna, 11 fëmijë të mitur dhe 123 minorenë të pashoqëruar. Minorenët janë të moshës nga 13 deri në 17 vjeç dhe vijnë nga Eritrea, Gana, Nigeria dhe Sudani.

Article Logic
Execution time: 0.0025408267974854