Reperja Tayna pa veten në një kronikë lajmesh ku me titra shkruhej: “Stop këngëve që promovojnë drogën”. Siç duket kjo nuk i ka pëlqyer aspak reperes ndaj ka reaguar me një shpjegim të gjatë ku shpjegoi se ajo vetë nuk konsumon as duhan dhe se këngëtarët nuk kanë rolin e prindërve, e se fëmijët janë në duart e familjes jo artistëve. Ajo shprehet se këngëtarët argëtojnë të rinjtë dhe se vendi ka probleme më të mëdha se kaq.
“Në një shtet që vetë nuk mundet të ndalojë përdorimin e lëndëve narkotike ose shumë gjëra të tjera, nuk ma merr mendja që ne si artistë kemi shumë peshë të madhe në veprimet e njerëzve. Ne vetëm këndojmë dhe mundohemi të argëtojmë popullin. Unë vetë nuk përdor asgjë nga këto, madje as duhanin që shumica juaj e pi, nuk e konsumoj, që gjithashtu është i dëmshëm. Kush do ta përdori ne nuk e ndalojmë dot. Kush nuk do, nuk ja japim me zor.
Tek e fundit, nuk kemi rolin e prindërve për të edukuar askënd. Ky është vetëm një zhaner i muzikës që ka tema të tilla e dëgjohet prej atyre që e pëlqejnë. Ju jeni rritur me muzikën Rock që po ashtu ka patur të tilla tema. Nuk duhet të merret personale asgjë që thuhet në tekstet e këngëve. Asnjëherë të rinjve nuk ua rekomandoj të përdorin lëndë të tilla. E fëmijët tuaj, e keni ju në dorë çfarë i lejoni e çfarë s’i lejoni të dëgjojnë, të shohin apo si i edukoni. Besoj që kemi probleme më të mëdha në këtë shtet…” shkruante Tayna në Instagram.
Por si u gjend Tayna në atë kronikë lajmesh? Emri i saj u përmend nga deputeti I LDK-së Haxhi Avdyli, që duket se nuk është aspak dakord me këngët ku promovohen substancat narkotike. Ai ka kërkuar nisjen e një nisme ligjore që ato të ndalohen me ligj.
“Si ta lëshojë televizorin ka me pa këngë marihuana, kokaina, kolumbiana ajo s’di kush është ajo Tayna, krejt janë këngë me promovim të drogës, duhet me i ndalu ligji”, ka deklaruar Avdyli.