Vazhdon përplasja mes studentëve dhe rojeve të fakulteteve. Studentët e arkitekturës kanë hyrë me forcë në ambientet e fakultetit të tyre pasi rojet private të sigurisë nuk i kanë lejuar të hyjnë brenda.
Duke qenë se zona ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike, një makinë e OSHE-së duhet të dilte jashtë dhe ky ka qenë momenti kur studentët kanë shfrytëzuar rastin për të hyrë në oborrin e fakultetit të tyre dhe kjo ka sjellë një përplasje mes tyre dhe rojeve.
Një nga studentët e tjerë që po përpiqet të futet në ambientet e fakultetit ka treguar për mediet se roja private ka mbyllur dyert e fakultetit.
"Nuk na lejojnë të hyjmë brenda. Por ne do të hyjmë dhe të bashkohemi me studentët. Dyert nga mbrapa, roja private i ka gozhduar me dërrasa", shprehet studenti.