Studentët kanë paralajmëruar një protestë madhështore ditën e nesërme, ku kanë ftuar të gjithë shqiptarët që tu bashkohen. Pavarësisht thirrjeve të kryeministrit Rama për dialog ata janë shprehur të vendosur, që e vetmja zgjidhje është plotësimi i 8 kërkesave.
Ndërkohë që ata kanë publikuar edhe planin e protestës për ditën e nesërme.
Protesta e tyre do të nisë në orën 9:00 të mëngjesit, ndërsa ende nuk dihet, nëse në ditën e 13-të protestës ata do ta kalojnë natën para godinës së Kryeministrisë, siç kanë vepruar edhe pak disa ditë radhazi.
“Nesër, 17 dhjetor protesta vazhdon në Fakultete (9-11) dhe më pas para Kryeministrisë. Në orën 9-11 organizohemi përpara fakulteteve për të ndërgjegjësuar çdonjërin nga ne mbi kauzën tonë të drejtë. Studentët të pajisur me foni do të shpalosin në detaje kërkesat e tyre specifike për arsim cilësor. Folës të ndryshëm nga të gjitha programet e studimit dalin dhe denoncojnë me forcë problemet tona, padrejtësinë që na bëhen përditë, të cilat duhet të marrin fund. Studentët artikulojnë kërkesa specifike për autoritetet drejtuese të Fakulteteve/Universiteteve.
Përfaqësues nga fakultete/Universitete të tjera përshëndesin protestën dhe prezantojnë problemet e përbashkëta”, shkruhet në njoftimin për protestën e ditës së 13-të.