INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Studim: Kanabis e bën kemioterapinë më efektive

Studim: Kanabis e bën kemioterapinë më efektive

Publikuar më: 12:27 12-06-2017

Ndoshta sfida më e madhe për ta kuptuar marijuanën buron nga fakti se nuk është një ilaç i bërë me porosi për të vepruar në një mënyrë të caktuar në trup, por një bimë e ndërlikuar që duket se sjell plot të mira për shëndetin.

Bima e kanabis sativës përmban më shumë se 85 kanabinoidë, një shumëllojshmëri përbërësish kimikë që gjenden edhe në trupin e njeriut. Sikurse hapet opioide aktivizojnë receptorët opioidë duke kufizuar perceptimin e dhimbjes nga njeriu, kanabinoidët e marijuanës aktivizojnë receptorët kanabinoidë që gjenden në trup, përfshirë trurin, mëlçinë dhe sistemin imunitar.

Deri më sot njihen në thellësi vetëm dy prej këtyre kanabinoidëve: Tetrahidrokanabinoli (THC) dhe Kanabidioli (CBD). Kërkimet rreth këtyre substancave kanë çuar në prodhimin e ilaçeve si Dronabinoli (Marinol), një kanabinoid sintetik i miratuar nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) kundër të përzierave dhe të vjellave të shkaktuara nga kimioterapia, si edhe si nxitës oreksi, luftues i të vjellave dhe dhimbjeve nga ilaçet e marra te pacientët me AIDS. Nabiksimolsi (Sativeks), një tjetër ilaç kanabinoid, është THC dhe CBD që nxirret nga bima dhe merret si spraj përmes gojës. Është i disponueshëm në Evropë dhe në disa vende të tjera (por ende jo në Shtetet e Bashkuara) për trajtimin e dhimbjes neurologjike dhe spazmës te pacientët me sklerozë të shumëfishtë.

Një studim mbi Nabiksimolin për trajtimin e dhimbjeve të lidhura me kancerin solli rezultate zhgënjyese. Megjithatë kjo nuk e ka penguar kompaninë farmaceutike “GW”, që e prodhon Sativeksin, të vazhdojë testimet për ta vlerësuar drogën si një terapi të mundshme alternative ndaj opioidëve për kontrollin e dhimbjes te pacientët me kancer të avancuar. Ndërkohë, dr. Donald Abrams shprehet se po fillojmë të kemi ide më të qarta rreth fuqisë paliative të kanabisit. “Arsyeja pse ne mendojmë se kemi tërë këtë shteg receptorësh dhe endokanabinoidësh është që të na bëjnë të harrojmë, e veçanërisht të harrojmë dhimbjen”, shpjegon ai. Përveç kësaj, kanabinoidët lehtësojnë simptomat dhe të përzierat sepse ky është edhe një reagim fiziologjik që vjen nga sistemi nervor qendror.

Përdorimi i kanabisit bëhet pjesë e një strategjie afatgjatë

Dr. Benxhamin Kligler, profesor i asociuar i mjekësisë familjare dhe shoqërore në kolegjin mjekësor “Albert Einstein”, thotë se ka mjaftueshëm studime që vërtetojnë se një sasi minimale kanabisi nuk e dëmton njeriun. Gjithashtu, “nga rezultatet në praktikë mendoj se nuk ka arsye pse të mos e bëjmë përdorimin e kanabisit pjesë të një strategjie afatgjatë. Është një ilaç jashtëzakonisht i sigurt dhe i dobishëm nga i cili mund të përfitojë një pjesë shumë e madhe e popullsisë”, shpjegon ai.

Para disa vitesh, dr. Zhil-Bar Sela, drejtor i njësisë së onkologjisë së integruar dhe kujdesit lehtësues (paliativ) në qendrën shëndetësore Rambam në Haifa të Izraelit, zhvilloi dy faza me intervista telefonike me 131 pacientë me kancer të cilët kishin përdorur kanabis gjatë kimioterapisë. Sipas rezultateve të publikuara në dy revista mjekësore në 2013-ën, vetëm katër për qind e të pyeturve thanë se kishin pasur përkeqësim të gjendjes pas përdorimit të kanabisit dhe shumica u shpreh se marrja e drogës i kishte ndihmuar.

Por të dhëna të vetëraportuara si këto janë të kufizuara kur vjen puna për të dëshmuar ndikimin klinik të kanabisit. Pacientët mund të jenë të dyzuar në mendimet e tyre rreth efektshmërisë së kanabisit, mund të mos e dokumentojnë dot me saktësi se e kanë përdorur drogën ose mund të ngatërrojnë efektet me ato të trajtimit të kancerit.

Gjithashtu, simptoma si dhimbja janë subjektive dhe të vështira për t’u matur nga mjeku. Një artikull i publikuar së fundi në Revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane (JAMA) analizoi të dhënat e 79 studimeve mbi kanabinoidët për disa tregues, përfshirë të përzierat dhe të vjellat nga kimioterapia, nxitjen e oreksit për pacientët me HIV-AIDS, dhimbjen kronike dhe sklerozën e shumëfishtë mes shumë gjendjeve të tjera.

Përmbledhja, që mori për bazë rezultatet e 6462 pacientëve, theksonte se shumica e atyre që përdornin kanabinoidë kishin përmirësime të simptomave krahasuar me pacientët që kishin marrë qetësues. Megjithatë, kërkuesit thanë se këto përmirësime nuk ishin domethënëse në aspektin statistikor.

Article Logic
Execution time: 0.0036461353302002