INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Studimi: Puna në zyrë më e dëmshme për shëndetin

Studimi: Puna në zyrë më e dëmshme për shëndetin

Publikuar më: 13:48 30-11-2016

Ekspertët amerikanë dhe anglezë kanë dalë në përfundimin se puna fizike është e lodhshme, por qëndrimi para kompjuterit për një kohë të gjatë është akoma më e rrezikshme për shëndetin.

Përmes dy studimeve të ndryshme, ekspertët kanë nxjerrë një listë të problemeve që mund të shfaqen në qoftë se kalohen shumë orë duke punuar në zyrë.

Ata kanë shtuar se dhimbjet që shfaqen janë nga ato më të zakonshmet: dhimbje mesi, sysh, këmbësh, tek ato më seriozet dhe të rrezikshme për jetën si infarkti i miokardit.

Rreziku nga infarkti

Studimi i Departamentit të Shkencave të Shëndetit dhe Shkencave Kardiovaskulare të universitetit “Leicester” në Britaninë e Madhe ka dalë në përfundimin se, “femrat janë 88% më të rrezikuara nga infarkti në qoftë se punojnë gjithë ditën para kompjuterit, madje kanë të gjitha gjasat që të zhvillojnë diabetin e tipit 2”.

“Pjesërisht është edhe faji i ushqimit, sepse kur punohet për një kohë të gjatë para kompjuterit çdo njeri është i detyruar të konsumojë ushqime të thata, që janë të pasura me sheqer dhe shumë kalori: “junck food”, sanduiçë, patatina e të tjera”, thonë ekspertët.

Por nuk përfundon këtu, sipas tyre më e keqja është se gjithçka konsumohet pa u ngritur fare nga karrigia. Si pasojë e qëndrimit ulur për një kohë të gjatë para ekranit të kompjuterit zvogëlohet edhe mundësia për të bërë aktivitet fizik.

Me pak fjalë bëhet një grumbullim i vazhdueshëm kalorish dhe rritje e sasisë së sheqerit në gjak, e kjo mund të ketë pasoja të rënda. “Femrat që kalojnë shumë orë ulur në punë, zhvillojnë nivele shumë të larta të insulinës në gjak”, thuhet në studim.

Më pas ekspertët shtojnë se kësaj i shtohen edhe rreziqet që mund të shfaqen në sistemin vaskular, apo formimi i variceve që ndodh për shkak të qarkullimit të pakët të gjakut nga shputat në të gjithë këmbët.

Efekti te sytë

Duke u fokusuar vazhdimisht para kompjuterit “harrohet” lëvizja e herëpashershme e qepallave. Ky veprim shërben për të mbajtur të lubrifikuar sytë. Shpesh ai që e rëndon edhe më tepër situatën është ajri i kondicionuar (në verë) ose ngrohja e tepërt (në dimër), sepse e than shumë ajrin.

Si pasojë, ekspertët e studimit këshillojnë ajrosjen e herëpashershme të mjediseve të punës, duke hapur dritaret në mënyrë që të qarkullojë i gjithë ajri. Gjithashtu ata këshillojnë edhe ngritjen çdo gjysmë ore nga vendi i punës për një pushim të shkurtër. Sipas tyre, ky pushim ndihmon trupin dhe sytë që të çlodhen.

“Duhet parë sa më larg kompjuterin, në mënyrë që pamja të qartësohet. Gjithashtu nëse është e mundur duhet bërë një shëtitje e vogël, sepse ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe çlodhjen e shpinës, meqenëse të gjithë personat që punojnë para kompjuterit qëndrojnë të kërrusur dhe jo drejt”, shprehen ekspertët.

Puna në zyrë me stres

Ekspertët kanë vënë re se mes dëmeve që lidhen me punën e zyrës është edhe rritja e nivelit të stresit. Si pasojë ky faktor mund të konsiderohet burim infarkti për 88% të femrave, të cilat punojnë në një mjedis të vogël prej disa metra katrorësh.

Efekte të tjera negative

Instituti Kombëtar Amerikan të Sëmundjeve Neurologjike ka dalë në përfundimin se puna para kompjuterit është një prej shkaqeve kryesore të sindromës së “tunelit karpal”, ose më saktë shtypjes së nervit median të kyçit të dorës.

Edhe nga kjo anomali janë më të rrezikuara femrat sesa meshkujt. Mesa duket faji është i një predispozite gjenetike që shkaktohet nga hormonet femërore dhe efekti i tyre mbi kocka. Për të shmangur rreziqet, duhet rregulluar qëndrimi para kompjuterit, me duart gjysmë të shtrira para tastierës dhe shpinën drejt.

Article Logic
Execution time: 0.0036139488220215