Një sulm u regjistrua në Strasburg, duke lënë të vdekur 2 persona dhe 10 të tjerë janë plagosur. Të shtënat janë regjistruar në Tregun e Krishtlindjeve në qytet, vend që vizitohet nga miliona turistë për çdo vit, tha një burim nga forcat franceze të sigurisë.
Policia tha se i dyshuari është akoma në arrati. Ministria e Brendshme e Francës u shpreh se njerëzit duhet të qëndrojnë në vende të mbyllura.
Prej këtij sulmi është “paralizuar” edhe aktiviteti rreth Parlamentit Evropian, teksa aktualisht në godinë ndodhen qindra eurodeputetë të “ngujuar”.
Deputetëve u është dërguar një mesazh që i këshillon ata të qëndrojnë brenda.
“Vendimi është marrë, që si një masë parandaluese të mbyllet ndërtesa e Parlamentit Europian në Strasburg. Ne ju kërkojmë të qëndroni të qetë dhe të sigurt brenda lokaleve të PE-së”, thuhet aty.