Pas një sulmi me armë të militantëve të ISIS, në Samarra të Bagdadit, janë vrarë 14 tifozë të Real Madrid. Tifozët ndodheshin në selinë kryesore të fansave të madrilenëve në kryeqytetin e Irakut, ku krahas të vrarëve, kanë mbetur edhe rreth 28 të plagosur, nga rreth 50 tifozë që që ishin të pranishëm gjatë sulmit.
Presidenti i klubit të mbështetësve të Realit të Madridit në Samarra, Ziad Subhan, tha se “një grup terroristësh islamik nga ISIS erdhën në kafene të armatosur me kallashnikovë, e nisën të qëllonin pa përzgjedhje ndaj kujtdo që ishte brenda”.
I pyetur mbi motivet e sulmit, Ziad Subhan tha se “ata thjesht nuk e pëlqejnë futbollin, sepse mendojnë se është antimyslimane. Ata ndërmarrin shpesh sulme të tilla. Por kjo e sotmja është një tragjedi e vërtetë”.
Terroristët ishin larguar menjëherë nga vendngjarja dhe vetëm pak orë më vonë, njëri prej tyre kishte hedhur në erë veten pasi ishte rrethuar nga policia në një ndërtesë të pabanuar.