Të dërguarit e OKB për sigurinë në Siri janë sulmuar me armë zjarri teksa mbikëqyrnin një prej zonave, ku dyshohet se janë përdorur armë kimike përpara mbërritjes së hetuesve ndërkombëtarë.
Inspektorët e Parandalimit të Armëve Kimike ndodhen në Siri për të hetuar ngjarjen e 7 prillit, për të cilën vendet Perëndimore akuzojnë trupat qeveritare se kanë përdorur armë kimike ndaj popullsisë.
Drejtori i OPAK-së, Uzumçu deklaroi se Departamenti i Sigurisë pranë OKB-së kishte vendosur të kryente një mision paraprak në dy zonat e qytetit të Dumës, përpara mbërritjes së ekspertëve që do të kryejnë ekzaminimet.
“Kur mbërriti në zonën e parë, një turmë e madhe u mblodh dhe e këshilloi ekipin e sigurisë që të tërhiqej. Në zonën e dytë, ekipi u gjend nën një sulm me armë zjarri dhe eksploziv dhe u detyrua të kthehej në Damask”, ka deklaruar zyrtari.