INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Sulmojnë akademikun hebre, Macron dënon aktin e jelekverdhëve

Sulmojnë akademikun hebre, Macron dënon aktin e jelekverdhëve

Publikuar më: 12:15 17-02-2019

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka dënuar thirrjet antisemite të drejtuara ndaj një intelektuali të shquar, nga një grup protestuesish “jelekverdhë” në Paris.

Policia doli në mbrojtje të filozofit Alain Finkielkraut, pasi ky i fundit u “bombardua” me ofendime dhe shprehje antihebreje në kryeqytetin francez.

Shefi i Elizesë, Macron tha se ngjarja shënonte një “mohim absolut” të asaj që e bënte Francën një komb të madh dhe sigurisht nuk mund të tolerohej.

Me dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në protestat antiqeveritare të së shtunës në Francë, aty ku policia përdori gazin lotsjellës për të kontrolluar turmat e të ashtuquajturve demonstrues “jelekverdhë”, të cilët dolën në rrugë në fundjavën e tyre të 14 radhazi.

Të shtunën në Paris, oficerët ndërhynë për të formuar një barrierë, pasi një grup individësh të angazhuar në marshim u konfrontuan me filozofin Finkielkraut dhe nisën ta ofendonin atë.

Akademiku hebre 69-vjeçar i tha gazetës “Le Parisien” se kishte dëgjuar njerëzit të thonin “zionist i qelbur” apo “shko hidhu në kanal”. Ndërkohë, për gazetën tjetër “Journal du Dimanche”, ai deklaroi se kishte ndierë “urrejtje maksimale” drejtuar atij dhe se ishte frikësuar shumë për jetën, derisa policia u gjend e gatshme ta mbronte. Megjithatë, ai u kujdes të theksonte se jo të gjithë protestuesit ishin kaq agresivë.

Finkielkraut, djali i emigrantëve polakë, kishte shprehur më herët simpatinë e tij për protestuesit, por pa frenuar kritikat për lëvizjen e “jelekverdhëve”. Ai tha se presidenti Macron e kishte marrë në telefon gjatë së shtunës për t’i ofruar mbështetje.

Në Francë, protestat e “jelekverdhëve” nisën në mesin e muajit nëntor, fillimisht për të kundërshtuar rritjen e çmimit të karburanteve, por prej atëherë janë përshkallëzuar në një revoltë kundër presidentit Macron, si dhe ndaj një klase politike që konsiderohet si “tej mase larg” njerëzve të zakonshëm.

Protestat shpesh janë shoqëruar me akte dhune, duke shkaktuar shkatërrime, përfshi edhe ndaj disa prej monumenteve më të famshme të Parisit. Kritikët kanë akuzuar policinë se ka përdorur jo proporcionale.

Article Logic
Execution time: 0.0033128261566162