INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Super Sadiku, Shqipëria

Super Sadiku, Shqipëria "hakmerret" ndaj Izraelit, fitore e bujshme në Haifa

Publikuar më: 08:21 12-06-2017

Shqipëria “hakmerret” ndaj Izraelit. Kuqezinjtë e Gianni De Basit fitojnë 0:3 sfidën direkte ndaj Izraelit në Haifa, duke i kthyer kështu të njëjtin rezultat me të cilin ata fituan në “Elbasan Arena” në nëntor të vitit të kaluar, në atë sfidë plot polemika dhe dyshime për arbitrimin e ndeshjes.

Dy herë e djathta vrasëse e Armando Sadikut dhe mesfushori Ledian Memushaj gjunjëzuan vendasit. Armando Sadiku merr një pasim mbi vijën e 16 metërshit dhe godet me të djathtën, duke gjetur cepin e portës izraelite. Në minutën e 44 është sërish sulmuesi elbasanas, që kontrollon një top, nga një distancë prej mbi 25 metrash nga porta dhe sërish me të djathtën gjen rrjetën dhe dyfishon rezultatin.

Në pjesën e dytë, Shqipëria vazhdon të ruajë kontrollin e lojës dhe të sulmojë herë pas here rrezikshëm, derisa gjejnë golin e tretë, në minutën e 71-të. Memushaj dërgon në rrjetë topin e ardhur në zonë nga Hysaj, pas një superaksioni të kuqezinjve, që pati si protagonistë, mbrojtësin shkodran dhe Cikalleshin. Vlen të përmendet edhe ndeshja mjaft e mirë e portierit të kuqezinjve, Thomas Strakosha, i cili u tregua i gatshëm në çdo çast dhe realizoi disa pritje spektakolare.

Pas kësaj fitoreje, Shqipëria merr vendin e tretë të renditjes, me pikë të barabarta me Izraelin e vendit të katërt.

Article Logic
Execution time: 0.0035810470581055