Ekipet e shpëtimit kanë nisur misionin për të tërhequr 12 djem dhe trajnerin e tyre nga shpella ku ata gjenden të bllokuar prej më shumë se dy javësh. BBC shkruan se operacioni për nxjerrjen e të rinjve të bllokuar 4 kilometra nga hyrja e shpellës ka filluar.
Ekipet hynë në shpellë në ora 10:00 me orën lokale ose 3:00 GMT, tha shefi i operacionit, Narongsak Osottanakorn për gazetarët. I gjithë stafi i panevojshëm i operacionit është larguar nga hyrja e shpellës, ku janë lënë vetëm ekipet e zhytjes, mjekët dhe forcat e sigurisë. Narongsak Osottanakorn, i cili ka qenë drejtues i operacionit, pastaj konfirmoi se 18 zhytës kishin shkuar për të marrë djemtë. "Kjo është dita e madhe," tha ai. "Djemtë janë të gatshëm të përballen me çdo sfidë".
Ai shtoi se të gjithë djemtë u vlerësuan nga një mjek dhe ishin "shumë të përshtatshëm fizikisht dhe mentalisht ... Ata janë të vendosur dhe të fokusuar". Grupi dhe familjet e tyre kanë rënë dakord se ata duhet të lëviznin sa më shpejt që të jetë e mundur. Djemtë po eksploronin shpellën më 23 qershor kur u ngelën brenda saj për shkak të ujit. 13 zhytës të huaj dhe pesë marinsa tajlandezë si dhe janë përfshirë në misionin e shpëtimit. Fëmijët e parë mund të dalin rreth orës 21:00 me orën lokale ose 16:00 GMT të dielën, sipas zyrtarëve.
Mendohet se operacioni mund të zgjasë disa ditë. Si fëmijët e bllokuar ashtu dhe familjet e tyre janë informuar për planin. Është e paqartë sesi do të zhvendosen djemtë, por duket se udhëtimi do të përfshijë disa zhytje dhe ecje në zonat ku uji i lejon.