INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Takimi Meta-Basha, ja çfarë u vendos

Takimi Meta-Basha, ja çfarë u vendos

Publikuar më: 18:47 01-08-2016

Pas takimit me Rexhep Meidanin dhe Koço Kokëdhimën, Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Opozitës, z. Lulzim Basha dhe Nënkryetarin e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z. Oerd Bylykbashi, me të cilët u konsultua për mënyrën e miratimit sa më të shpejtë dhe me konsensus të Ligjit për Vettingun.

Gjatë takimit, Kryetari i Kuvendit informoi bashkëbiseduesit mbi bisedimet që ka pasur me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, z. Fatmir Xhafaj, Ambasadorin e SHBA, z. Donald Lu, Ambasadoren e BE, znj. Romana Vlahutin mbi domosdoshmërinë e miratimit të Ligjit për Vettingun brenda muajit gusht.

Në takim u dakortësua në parim nevoja për miratimin me përparësi, brenda muajit gusht të Ligjit për Vettingun, si dhe mbi kalendarin e shqyrtimit të këtij ligji sipas procedurave kushtetuese parlamentare, duke filluar nga dita e nesërme me mbledhjen zyrtare të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi.

Kryetari i Opozitës, z. Lulzim Basha deklaroi se mbështet këtë kalendar dhe se opozita do të marre pjesë aktive dhe konstruktive në Komisionin e Posaçëm, duke filluar me prezantimin e komenteve të saj për Ligjin e Vettingut në mbledhjen e ditës së nesërme.

Gjithashtu, Kryetari i Partisë Demokratike shprehu gatishmërinë për të avancuar edhe me ligjet e tjera, sapo anëtarët dhe ekspertët e opozitës të njihen me draftet më të fundit të përgatitura nga Komisioni i Posaçëm, veçanërisht Ligji për Prokurorinë Speciale dhe Ligji për Organet e Qeverisjes së Gjyqësorit.

Bashkëbiseduesit ndanë qëndrimin për nevojën e miratimit sa më të shpejtë me konsensus dhe cilësi të lartë të këtyre ligjeve, në përputhje me përcaktimet e Kushtetutës së Re dhe Opinionit Final të Komisionit të Venecias. Në këtë takim morën pjesë dhe Ministrja e Integrimit Evropian, znj. Klajda Gjosha dhe Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, znj. Albana Shtylla.

Article Logic
Execution time: 0.0036978721618652