INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Takimi për MSA-në, BE 'godet' Kosovën: Të hiqen menjëherë tarifat doganore

Takimi për MSA-në, BE 'godet' Kosovën: Të hiqen menjëherë tarifat doganore

Publikuar më: 16:44 17-12-2018

Këshilli i Stabilizim-Asociimit mbajti takimin e tij të tretë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës më 17 dhjetor 2018 në Bruksel. Por gjatë këtij takimi BE ka shprehur keqardhje për rritjen e tarifave të njëanshme të qeverisë për importet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, si dhe imponimin e barrierave jotarifore dhe insistoi në heqjen e tyre të menjëhershme.
“Në takimin e sotëm u shqyrtuan zhvillimet e fundit kryesore lidhur me përmbushjen e kritereve politike, si dhe gjendjen në lidhje me kriteret ekonomike, bashkëpunimin financiar dhe zbatimin e MSA-së. Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë e zbatimit të vazhdueshëm dhe efektiv të MSA-së, si dhe detyrimet kontraktuale, duke përfshirë në fushën e tregtisë dhe doganave”-thuhet në njoftimin për shtyp të bërë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Europës.
“Futja e këtyre tarifave dëmton interesat ekonomike të Kosovës dhe popullit të saj, duke zvogëluar rrjedhën e tregtisë dhe duke ulur atraktivitetin e Kosovës si një vend për investime dhe biznes. Çdo pengesë për tregtinë duhet të zgjidhet brenda forumeve dhe mekanizmave të përshtatshme, me pjesëmarrjen konstruktive të të gjitha palëve të interesuara, në frymën e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore”-deklaron KE. Bashkimi Europian nënvizoi rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm të Kosovës në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit, duke përshpejtuar dhe intensifikuar punën me mirëbesim në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. “Të gjitha marrëveshjet e Dialogut të dakorduara tashmë duhet të zbatohen plotësisht pa ndonjë vonesë të mëtejshme, në veçanti marrëveshjen 2015 për Shoqatën / Komunitetin e komunave me shumicë serbe”-thuhet në njoftim.
Sa i përket liberalizimit të vizave, Komisioni Europian miratoi një raport në korrik 2018 mbi përmbushjen e standarteve të mbetura. Vendimi mbi propozimin e Komisionit aktualisht është duke u shqyrtuar në Këshill dhe në Parlamentin Europian. Takimi u kryesua nga Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri, Znj. Federica Mogherini. Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, z. Johannes Hahn, përfaqësoi Komisionin Evropian. Delegacioni i Kosovës u udhëhoq nga Kryeministri Ramush Haradinaj. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri i parë / ministri Behgjet Pacolli, ministri Dhurata Hoxha dhe ministri Abelard Tahiri gjithashtu morën pjesë.

Article Logic
Execution time: 0.0036871433258057