INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Takimi Thaçi-Vuçiç nis fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi

Takimi Thaçi-Vuçiç nis fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi

Publikuar më: 12:34 30-08-2017

Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç udhëtojnë të enjten drejt Brukselit, për një takim me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, e cila shprehet e bindur se deri në fund të vitit 2019, vendet e Ballkanit do të arrijnë hapa konkretë drejt integrimit në BE. Mediat në Prishtinë dhe Beograd shkruajnë se, “të enjten pritet të diskutohet rreth modaliteteve mbi arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kishte detyrime ndërkombëtare”. Për një fazë të re të bisedimeve Kosovë-Serbi ka kohë që flet edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili thotë se “ka ardhur momenti që dy vendet të nënshkruajnë një marrëveshje përfundimtare pajtimi”. Në një shkrim të publikuar të mërkurën, Thaçi paralajmëroi krijimin e një ekipi uniteti për bisedimet. “Me zonjën Mogherini dhe Presidentin Vuçiç do të diskutojmë mbi idetë paraprake dhe si do të vazhdohet më tutje”, shkruan Thaçi. “Sigurisht, ne duhet të jemi të përgjegjshëm dhe transparentë në këtë proces, - shton ai, - por këtë duhet ta bëjmë në mënyrë institucionale. Prandaj lipset me urgjencë, që fillimisht të kryejmë konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe të qeverisë së re. Çdo vonesë e mëtejshme bart në vetvete pasoja të përmasave të mëdha”, paralajmëron kreu i shtetit kosovar. Vonesa të tilla, sipas tij e bëjnë të pamundur edhe ndërtimin e platformës së përbashkët, të cilën Thaçi vet e konsideron jetike për proceset shtetërore që e presin vendin. Vuçiç gjithashtu sqaron se “dialogu do të vazhdojë në Bruksel dhe jo vetëm mbi tema të caktuara, por do të jetë një dialog thelbësor rreth asaj sesi i shohin dy palët marrëdhëniet e tyre pas disa vitesh”.

Article Logic
Execution time: 0.0035829544067383