INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Taksa për blerjet online, ulet kufiri nga 150 në 45 Euro

Taksa për blerjet online, ulet kufiri nga 150 në 45 Euro

Publikuar më: 10:05 20-07-2016

Burime zyrtare nga Ministria e Financave thonë se është vendosur tashmë që kufiri i pataksueshëm për blerjet online të ulet nga 150 euro në 45 euro. Më parë ishte planifikuar që ky kufi të ulej në 22 euro, që u rrit me pas në 45 euro, aq sa sipas financave është dhe kufiri i lejuar i vendeve të Bashkimit Europian. Pra nëse do të bësh një blerje online mbi 6000 lekë do të duhet të paguash edhe 22.4% më shumë taksa (TVSH plus taksë doganore). Ky veprim, sipas financave, bëhet për të shmangur në këtë mënyrë konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import. Sipas Monitor në mes të vitit 2014, qeveria kishte vendosur që të gjithë ata që blejnë online dhe u vjen produkti me postë nga jashtë vendit, do të paguajnë taksë në rast se vlera e mallit do të kalojë 20 mijë lekë dhe jo 10 mijë lekë, siç ishte më parë.
Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore). Kjo nënkupton se për të gjitha blerjet mbi 45 euro, individët duhet të llogarisin që çmimet do të jenë 22.4% më të shtrenjta.
Ndonëse vitet e fundit ka pasur rritje të ndjeshme të blerjeve online, burime nga kompanitë postare pohojnë se së fundi është vënë re një frenim i tyre për shkak të krizës së konsumit.
Sipas të dhënave të INSTAT, dërgesat e pranuara (kolipostat) e ardhura në Shqipëri në tremujorin e tretë të vitit 2015 (periudhë kur blerjen online arrijnë zakonisht kulmin) kanë rënë me rreth 60 % në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në këtë tremujor, në Shqipëri kanë ardhur 9 mijë copë, ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ato kanë qenë 17 mijë copë.

Article Logic
Execution time: 0.0036799907684326