Ai është padiskutim një nga lojtarët më të mirë të Superligës Shqiptare dhe një ndër më të kërkuarit në merkato. Por siç duket, Kristal Abazaj e ka bërë më në fund zgjedhjen e tij pas shumë tratativash e aludimesh. Ai ka pranuar se i është bashkuar Skënderbeut duke treguar edhe detajet e kontratës që ka firmosur me klubin korçar:
“Po, jam një futbollist i Skënderbeut. Kemi mbyllur gjithçka dhe bëhet fjalë për një kontratë dyvjeçare. Di që Skënderbeu ka paguar një shumë të mirë për mua, por nuk di shifrat e sakta. Klubet kanë rënë dakord që unë të vazhdoj të luaj për Luftëtarin deri në fund të sezonit, meqenëse ky ekip ka nevojë. Por pagesa ime do të bëhet nga Skënderbeu”, – sqaron fillimisht sulmuesi i krahut të djathtë.
Futbollisti 21-vjeçar shprehet më tej se ka pasur oferta edhe nga jashtë vendit, madje edhe nga skuadra të njohura, por vendosi të kalojë te Skënderbeu, duke e konsideruar si shansin e artë të karrierës së tij: “Me thënë të drejtën, kam pasur edhe oferta nga jashtë vendit. Dhe bëhet fjalë për skuadra të mira, me emër, por arritëm në përfundimin se Skënderbeu është zgjedhja më e mirë për mua.
Skënderbeu luan rregullisht në Europë dhe është një vitrinë e mirë për çdo lojtar, që duke luajtur në kompeticionet europiane, mund të vëzhgohet nga skuadrat e huaja dhe më pas të luajë në skuadra më të mira. Jam i lumtur për këtë vendim dhe jam i bindur se kam bërë zgjedhjen më të mirë. Kam kaluar në një ekip vërtet europian. Tani dua të ndihmoj Luftëtarin për pjesën e mbetur të sezonit”, – ka theksuar Abazaj për “VIP SPORT”.