Në eventin e organizuar dje tek Piramida, ashtu siç kishte paralajmëruar, Erion veliaj prezantoi “kryebashkiakun e natës” për Tiranën.
Briken Fejzullai është kryebashkiaku i natës për Tiranës. Vendimi për një kryetar të dytë bashkie erdhi sepse, siç shpjegoi Erion Veliaj, Tirana po zhvillon gjithmonë e më shumë jetën e natës, që përbën një ekonomi më vete. Modeli me dy kryebashkiakë u nis në Evropë nga “kryeqyteti i jetës së natës”, Amsterdami.
“ Në fund të vitit të kaluar prezantuam një ide, e cila në fakt ekzistonte në katër qytete të tjera në Evropë, në Amsterdam, Paris, Zyrih dhe Londër. Kryetari i Bashkisë së Natës nuk është vetëm një person, është një koncept, një ide sesi qyteti mund të gjallërohet e të jetojë 24 orë. Një nga gjërat që kam dashur shumë është që me të njëjtin ritëm që punojmë gjatë ditës, me infrastrukturën dhe me gjithë gjërat që ka nevojë qyteti, të kemi edhe një jetë të natës”, u shpreh ai dje gjatë prezantimit të Fejzullait si kryetari i dytë i bashkisë.”
Veliaj i konsideron klubet e natës një sektor që gjeneron të ardhura për kryeqytetin dhe vende pune për të rinjtë, ndërsa miliona euro shkojnë pikërisht për jetën e natës.
“Ka disa klube, aktivitete, shfaqje, por një jetë të mirëfilltë të natës, ashtu siç Tirana gjallëron gjatë ditës, nuk e kemi. Shumë qytete si: Zyrihu, Londra, Parisi dhe Amsterdami kanë llogaritur që jeta e natës është shumë e rëndësishme për ekonominë e qytetit. Shumica e studentëve në këto qytete, por edhe në Tiranë, punojnë si kamarierë e banakierë dhe nesër bëhen arkitektë, inxhinierë e njerëz me talente të shkëlqyera, por secili kur është student punon sidomos në industri që lidhen me jetën e natës apo artin e kulturën që gjeneron ekonomi. Kemi llogaritur që edhe në Tiranë, shpenzohen disa milionë euro në aktivitete të jetës së natës dhe do të donim të kishim një qytet që funksionon 24 orë.”