INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Targa me çip u jep mundësi qeverive të përgjojnë qytetarët

Targa me çip u jep mundësi qeverive të përgjojnë qytetarët

Publikuar më: 10:34 29-01-2016

Shqipëria do të bëhet i dyti vend në botë që do të aplikojë sistemin e targave të makinave me çip. Vendi i parë dhe i vetëm është Azerjbaxhani, një vend autokrat i drejtuar nga presidenti Ilham Aliyev.

Kompania që është ofruar për instalimin e këtij sistemi është përmes një koncesioni nga i cili mendon të fitojë 95 milionë euro është “Porta Saber Albania”.

Kompania mëmë “Porta Saber Ltd” e ka aplikuar këtë sistem tashmë në Azerbajxhan. Kompani të tjera ua kanë ofruar targat me çip disa prej vendeve më të zhvilluara, por janë refuzuar për të mundësisë që u jep ky sistem qeverive për të përgjuar qytetarët. Debate që kanë përfunduar me refuzimin e këtij propozimi ka pasur edhe në shtete të tjera si në Angli, Gjermani.

Me anë të instalimit të çipit në targën e makinës, mund të shihet në çdo kohë vendndodhja e automjetit.

I gjithë shqetësimi i tij ka të bëjë me këtë fakt: Kush do t’i aksesojë të dhënat personale dhe si do të ruhen ato.

Kompania që është ofruar për koncesionin dhe zyrtarë të Ministrisë së Transporteve janë shprehur publikisht se instalimi i çipit bëhet për të rritur sigurinë në rrugë.

Por deri tani asnjëra palë nuk ka argumentuar se si do ta rrisë sigurinë një pajisje elektronike që vendoset në targën e makinës dhe mbart vetëm të dhënat personale të automjetit dhe të pronarit të saj.

Kostot e koncesionit  

Shqipëria numëron 490 899 mijë makina të regjistruara deri në fund të vitit 2014, por vetëm 360 mijë prej tyre mendohet se janë në qarkullim. Në anën tjetër, çdo vit hyjnë mesatarisht në qarkullim rreth 40 mijë makina të reja.

Studimi i fizibilitetit të kompanisë Porta Saber Albania ka llogaritur çdonjërën prej këtyre makinave në bilancin e saj të të ardhurave dhe shpenzimeve për 35 vitet e kërkuara të koncesionit.

Çipi elektrononik IVIS mundëson regjistrimin automatik të çdo makine që është duke qarkulluar në rrugë, në çdo moment të ditës dhe të natës. Sistemi parashikohet gjithashtu të gjenerojë alarme të veçanta për makinat që nuk i janë nënshtruar kontrollit teknik, makinat e vjedhura apo ato që nuk kanë paguar taksat vjetore.

Sipas studimit, sistemi inteligjent i identifikimit të makinave realizon gjithashtu matjen non-stop të shpejtësisë dhe matjen e shpejtësisë mesatare të automjeteve, mundëson mbledhjen e të dhënave për trafikun e makinave dhe realizojnë gjurmimin e tyre.

Porta Saber Albania parashikon që brenda tre vitesh të pajisë me çip elektronik targat ekzistuese, të cilat llogariten të jenë 360 mijë në total. Pas tre viteve të para, kompania parashikon të instalojë çdo vit 40 mijë çipe për makinat që hyjnë rishtaz në qarkullim.

Sipas studimit, çdo çip i instaluar i kushton 7 euro kompanisë dhe 48 euro qytetarit. Diferenca e madhe në çmim justifikohet me kostot shtesë për blerjen e 200 lexuesve të të dhënave që do të instalohen në rrugët e Shqipërisë, ngritjen e një qendre të kontrollit me vlerë 120 mijë euro dhe blerjen e makinave apo pagesat për stafin që do të realizojë projektin.

Në total, Porta Saber Albania parashikon të investojë rreth 6.2 milionë euro në pesë vitet e para dhe të marrë mbrasht si të ardhura mbi 95 milionë euro përgjatë 35 viteve të parashikuara.

Nëse miratohet, kostot e këtij koncesioni rëndojnë direkt mbi xhepin e pronarëve të automjeteve në Shqipëri, të cilët do të duhet të paguajnë edhe 48 euro më tepër. Buxheti i shtetit është gjithashtu i humbur nga këto të ardhura, pasi parashikohet të përfitojë vetëm tarifën koncesionare prej 2 për qind të të ardhurave të kompanisë.

Porta Saber Albania shkruan në studimin e saj se për 5 vite, do të derdhë në buxhetin e shtetit 448 mijë euro, pa llogaritur tatim-fitimin, taksat apo sigurimet shoqërore për të punësuarit e saj.

Article Logic
Execution time: 0.0037219524383545