Deri më tani pikturat në qiell i kishim parë vetëm në filma, apo fotografi të cilat i dinim se ishin të montuara, por tashmë një artist i ri e ka bërë këtë gjë realitet.
Me shumë talent dhe me ndihmën e teknologjisë artisti Russell Klimas vizaton figura të filmave vizatimorë në qiell me anë të një droni.
Figura të ndryshme si personazhi i famshëm Pikachu, emblema e Batman, apo një kub me linja shumë të drejta, janë disa prej punimeve të tij në qiellin e Colorado-s në SHBA.
Nëpërmjet një aparati me drita LED që e ka lidhur tek droni, artisti krijon vijat e shndritshme në qiellin e errët për 50 minuta.
Ai gjithashtu përdor ndihmën e Google Maps dhe aplikacionit Litchi, për të gjetur hapësirën e duhur ku mund të pikturojë figurat e tij me dron.
“Para disa muajsh unë u frymëzova të krijoja figura të shndritshme në qiell, por ishte disi e pamundur. Me programin Litchi dhe dronin tashmë çdo gjë duket më e lehtë”, ka thënë Klimas për realizimet mbresëlënëse.