INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Taulant Balla zbulon datën: Ja kur zgjidhet Kryeprokurori i ri

Taulant Balla zbulon datën: Ja kur zgjidhet Kryeprokurori i ri

Publikuar më: 23:02 18-12-2017

Në Vatikan për të sinjalizuar zgjedhjen e një Pape të ri del tym i bardhë. Sot në Shqipëri u vendos një standard i ri. Për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të Përkohshëm nga Kuvendi doli tym i kuq. Por çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e Shqipërisë. A është ky sinjali se Reformës në Drejtësi po i del tym i zi?! Për këtë në studion e Top Story kanë qenë të ftuar Edmond Spaho dhe Taulant Balla. Zgjedhja dhe betimi i Kryeprokurorit të Përkohshëm u prit me protesta si brenda Kuvendit, ashtu edhe jashtë saj, me opozitën që kërkonte shtyrje të procesit deri në krijimin e KLP-së, ndërsa mazhoranca e votoi Arta Markun për të mos lejuar krijimin e një vakance në krye të organit të akuzës.
Gjatë emisionit Top Story kreu i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho ringriti shqetësimin se përse nuk prit krijimi i KLP-së, aq më pak pasi ditët e fundit i propozuan 3 emrat për anëtarë të saj nga Shoqëria Civile. “Në Shqipëri pretendohet se sistemi juridik është korruptuar deri në qelizë dhe së dyti është kapur nga politika. Pra synimi është heqja e korrupsionit në drejtësi fillimisht, e më as korrupsionit në politikë. Së dyti të gjithë këtë mekanizëm të drejtësisë të mos e emërojë politika. PD është akuzuar se ka frikë nga reforma dhe dëshiron të ruaj njerëzit që ka vendosur vetë. Në fakt ne kemi punuar dhe kemi votuar Kushtetutën në mënyrën që sistemi i drejtësisë të bëjë vetting dhe politika të mos ketë më punë në zgjedhjet e këtyre institucioneve. I pari që zgjidhet është KLP, ku është vettingu, ra në mënyrën më banale. I 11-dhjeti nuk zgjidhet me qëllim. Nuk duan ta zgjedhin KPL. Anëtarët e Shoqërisë Civile nuk donin ta zgjidhnin. Janë sjellë tani 3 kandidatët e tyre, lind pyetja se pse u procedua me zgjedhjen e Kryeprokurorit”, u shpreh Spaho.
Përballë tij ka qenë kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili duke iu përgjigjur shqetësimit të Spahos, vuri në dukje se mbyllja e procesit kërkonte kohë, e në vlerësimin e tij Kryeprokurori i ri me mandat 7-vjeçar zgjidhet në fund të muajit mars-fillim të muajit Prill 2018-s. “Sipas ligjit u bë procedura, në kushtet që KLP nuk ishte krijuar. Shqetësimi që ngre Spaho është pse nuk prit krijimi i KLP. Në vlerësimin tim përzgjedhja e anëtarit të 11-të të KLP-së përfundon në shkurt. Në mars ngrihet KLP-ja. Kryeprokurori i ri me mandat 7-vjeçar në vlerësimin tim zgjidhet në fund të muajit mars-fillim të muajit Prill të vitit të ardhshëm”, deklaroi Balla.
Më tej Taulant Balla sfumoi akuzat se zonja Marku është përzgjedhur për të mbyllur dosjet e nxehta, si ajo ndaj ish-ministrit Tahiri. “Kryeprokurorja e re, me reformën e re nuk mundet që t’i heqë dosjet Prokurorëve, apo t’i transferojë ata. Prokurori i rrethit mund të lëvizë vetëm me vendim gjykate”, deklaroi Balla./tch

Article Logic
Execution time: 0.0034739971160889