INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Te dielën zhvillohet Maratona e Tiranës, Bashkia plan masash

Te dielën zhvillohet Maratona e Tiranës, Bashkia plan masash

Publikuar më: 13:22 13-10-2017

Tirana është gati për të mirëpritur rreth 2500 vrapues nga 40 vende të ndryshme të botës që do të marrin pjesë në maratonën që do të mbahet të dielën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e Maratonës për të koordinuar detajet e fundit për mbarëvajtjen e këtij organizimi. Kryebashkiaku deklaroi se Maratona e Tiranës do të jetë një festë sportive dhe që do t’i japë një impuls pozitiv edhe ekonomisë së qytetit.

“Këto dy ditë janë vendimtare për mënyrën se si do të performojë qyteti për maratonën. Është hera e parë që maratona është e certifikuar ndërkombëtarisht. Kjo do të thotë që edhe do monitorohemi në këtë aspekt, megjithatë besoj se do jetë një festë e madhe për të gjithë Tiranën. Ne presim si vrapues profesionistë rreth 2500 atletë nga 40 vende të ndryshme të botës, duke filluar nga Azia e largët, Afrika, Amerika Latine, SHBA e Europa, pra është edhe një mundësi fantastike për të prezantuar si një kartolinë qytetin e Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës në takimin me përfaqësues të institucioneve dhe aktorëve të tjerë që janë marrë me organizimin e kësaj ngjarje sportive dhe jo vetëm.

Ai theksoi se Maratona është një mundësi shumë e mirë për promovimin e qytetit dhe ekonominë e tij. Sipas tij, falë numrit të lartë të pjesëmarrësve thuajse të gjitha hotelet në Tiranë janë rezervuar. “Ne jemi në një situatë sot ku çdo shtrat hoteli është i rezervuar në Tiranë. Në këtë sens është diçka e mirë edhe për ekonominë e qytetit. Dua t’u bëj thirrje të gjithë restoranteve, bareve e lokaleve që të jenë mikpritës e të prezantohemi sa më mirë”, deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj bëri të ditur se ndryshe nga një vit më parë, maratona do të jetë krejtësisht urbane, ku do të përshkruajë rrugët kryesore të qytetit. “Kësaj here kemi një itinerar ndryshe të maratonës. Nëse herën e parë kishim një sistem linear në autostradën Tiranë-Durrës, tani kemi atë që quhet “city marathone”, pra një maratonë e fokusuar tek qyteti. Kjo do të thotë që do të jetë aksi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, “Zogu i Parë” i gjithë rreth rrotullimi i Unazës së Vogël me një hyrje në Bllok në rrugën “Ibrahim Rugova”, pastaj pranë Gardës për t’u rikthyer sërish tek sheshi “Nënë Tereza”, që janë fillimi dhe fundi i maratonës, pak a shumë akset që do përshkrohen. Për vrapuesit profesionistë do përdoret edhe aksi i rrugës së “Kavajës” deri tek Kisha Ortodokse, sepse gara është kalkuluar që të ketë 3 xhiro nga 7 për profesionistët dhe 2 xhiro nga 5 për të tjerët”, tha Veliaj.

Ai theksoi se ajo do të zhvillohet në 4 kategori, duke filluar nga profesionistët, amatorët dhe personat me aftësi ndryshe. “Gara e parë do jetë krosi i të rinjve, ndërkohë që do të kemi disa gara të tjera për persona me aftësi të kufizuar. Kemi një numër më të lartë se vjet, i jep shumë dinjitet qytetit kur edhe personat me aftësi të kufizuara respektohen, kanë një garë të tyren të veçantë. Shumë prej tyre i kam parë të stërviten në Tiranë, është momenti që edhe Tirana të bëhet më miqësore, sidomos aksesi në rrugë qarkullimi, kemi folur edhe me drejtuesit e policisë dhe shumë shpejt do të fusim edhe semaforët me zë, që të sigurohemi që qyteti shijohet nga të gjithë. Pas këtyre 2 garave, pastaj do të nisen ata që janë profesionistë, që është gara e 21 km dhe pastaj gara e 10 km”, bëri të ditur kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj kërkoi mirëkuptimin e banorëve për vështirësitë që mund të ketë me lëvizshmërinë dhe trafikun në ditët e Maratonës, duke theksuar se të mirat që vijnë prej saj janë më të mëdha sesa vështirësitë që krijohen. “Do të jetë një ditë e ngjashme me ditët pa makina që kemi pasur dhe besoj që ajo histeria e herëve të para kur bënim ditët pa makina, tani ka një konsensus të plotë. Pa jemi në një situatë ku qytetarët e kuptojnë që edhe Vjena bllokohet e gjitha kur ka maratonë, edhe Londra bllokohet e gjitha, edhe Bostoni, New York e Tokio. Besoj që pjesë e skemës për ta bërë Shqipërinë si jashtë shtetit është që të përballojmë pa stres edhe organizime të tilla kaq masive”, u shpreh Veliaj.

Në këtë kuadër ai bëri të ditur se duke filluar që nga sot një pjesë e rrugëve do ti nënshtrohen regjimit të ndalimit të qarkullimit dhe për një numër më të vogël edhe ndalimi i parkimit. “Akset janë lajmëruar dhe për të gjithë banorët një ndjesë paraprake, por shpresoj edhe për një mirëkuptim paraprak duke pasur parasysh që e mira dhe dobia që i sjell qytetit është e jashtëzakonshme. Besoj që ora e zbrazjes së rrugëve fillon sot në mesnatë dhe do të vazhdojë deri në orën 2 ditën e diel. Në orën 2 ditën e diel, i rikthehemi qarkullimit normal. Kështu që për të gjithë ata qytetarë që ndoshta duan të planifikojnë lëvizjen, pas orës 2 ditën e diel, kur të ketë mbaruar gara, të jenë dhënë çmimet, të ketë filluar heqja e barrierave në rrugë, mund të vazhdojnë pastaj jetën normale. Por, jam i sigurt që qyteti do e shijojë një ditë me oksigjen dhe pa makina në pjesën qendrore të tij”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Nisur pikërisht edhe nga prania e madhe e pjesëmarrësve nga vendet e tjera, por edhe ata të ardhur nga rrethet, gjatë këtyre ditëve Veliaj bëri të ditur se do të ketë një shtim të aktiviteteve kulturore dhe argëtuese, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të dalin dhe të mbështesin sportistët. “Do të thotë që i gjithë itinerari do të jetë një mundësi fantastike argëtimi dhe për ata që nuk do të vrapojnë, por që do të vijnë për kënaqësinë e tyre, që do të vijnë të sjellë familjet apo për t’u argëtuar nga ansambli, grupe muzikore, cirku, shumë prej aktiviteteve nga agjencia jonë e parqeve dhe rekreacionit do të gëlojnë nëpër Tiranë. Dua të ftoj edhe të gjithë qytetarët që në fakt nuk janë gati të vrapojnë këtë vit por ndoshta do vrapojnë vitin tjetër, që të vijnë me familjet e tyre”, tha Veliaj.

Ai shprehu mirënjohjen për të gjithë vullnetarët që janë bërë pjesë e përgatitjeve dhe mbarëvajtjes së Maratonës ditën e diel. “Ne kemi për herë të parë 660 vullnetarë, të gjithë që dinë ose anglisht, italisht, gjermanisht apo spanjisht e frëngjisht, pra të kenë mundësi që të komunikojnë me sa më shumë prej turistëve dhe atyre që vizitojnë Tiranën në ditët e maratonës. Vullnetarët tanë janë trajnuar, janë shumë të mprehtë për të parë nëse një nga atletët ka nevojë. Do të doja që zjarrfikëset dhe shërbimet e tjera të emergjencës të ishin gjithmonë në alert për këtë situatë”, u shpreh Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0042300224304199