Një nga shkaqet e rritjes së papunësisë në Shqipëri është se diplomat e prodhuara nga sistemi arsimor nuk përputhen me profesionet për të cilat ka nevojë tregu i punës.
Diplomat e arsimit të lartë më së shumti janë për ekonomi, shkenca shoqërore dhe juridik, teksa nevojat për punë janë në bujqësi dhe turizëm. Statistikat arsimore tregojnë tendencën alarmuese drejt profesioneve për të cilat tregu i punës nuk ka nevojë.
Sipas të dhënave nga INSTAT, në muajt e parë të vitit 2019, 18.1% e personave me arsim të lartë në moshë pune ishin inaktivë.
Zgjerimi i sektorëve të ekonomisë që nuk kërkojnë shumë kualifikim, të tillë si fasoni, call center, turizmi etj., po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë punësimin e të arsimuarve në vendin tonë.
Sipas të dhënave të INSTAT, vitin e kaluar, numri i të papunëve ishte 173.207 persona nga të cilët 346 ishin doktorantë
Mbi 50% e studentëve vitin e kaluar zgjodhën të studiojnë për shkencat humanitare dhe artet, teksa numri i studentëve në degët që lidhen me bujqësinë dhe turizmin ra përkatësisht me 24 dhe 57% në krahasim me pesë vite më parë.
Më 2018, krahasuar me vitin e mëparshëm, pesha që zënë të papunët afatgjatë në papunësinë gjithsej është rritur me 2,6 pikë përqindje.