Aktorët nuk ndalen. Ata do të protestojnë në ambientet e Teatrit Kombëtar kundër shembjes së tij. Ndërsa sot skadon afati që i lanë qeverisë të tërhiqte projektligjin, aktorët e Teatrit Kombëtar pritet të publikojnë dhe strategjinë e tyre për mbrojtjen nga shembja e teatrit. Ata nuk negociojnë në asnjë mënyrë shembjen e teatrit apo tjetërsimin e truallit, e që Arben Derhemi ja tha në sy një ditë më parë kryebashkiakut Veliaj dhe ministres Kumbaro në takimin e parë konsultativ të zhvilluar për këtë çështje.
Arben Derhemi:
“Çdo centimetër i teatrit Kombëtar është vend i shenjtë, e ka thënë Robert Ndrenika. Ai është Jeruzalem dhe nuk do të preket”.
Ndërkohë në mbrëmje aktorët do të shfaqen sërish në protestën e tyre pranë Teatrit Kombëtar. Por ajo çfarë pritet të ndodhë u parapri pak ditë më parë nga vetë aktorët përmes një letre publike drejtuar presidentit, parlamentit dhe grupeve parlamentare.
Alert Çeloaliaj:
“Paralajmërojmë se nëse deri ditën e premte nuk do të kemi një reagim ndaj këtyre kërkesave, atëherë trupa teatrore legjitimohet që të uzurpojë godinën e Teatrit Kombëtar, si formën e vetme që zëri ynë të dëgjohet”.
Aktorët të ndarë mes vetes për shembjen e Teatrit Kombëtar
Por propozimi për shembjen e tetarit kombëtar ka ndarë mes vetes edhe aktorët e teatrit kombëtar. Disa prej tyre nuk negociojnë në asnjë mënyrë shembjen e teatrit kombëtar, por ka dhe disa të tjerë që thonë se shembja dhe rindërtimi i teatrit është e domosdoshme. Degradimi i godinës thonë ata e bën të pamundur punën e artistëve, por gjithashtu edhe artdashësit nuk mund të ndjekin në kushte normale shfaqjet.