U zhvilluan ndeshjet e vajtjes të raundit të parë të Kupës së Shqipërisë për edicionin 2016-2017, ku përgjithësisht skuadrat e Superiores edhe pse me formacionet e dyta dominuan ndaj kundërshtarëve më inferiore. Kështu në Grupin A, Tirana dhe Skënderbeu u mjaftuan me një barazim 1-1 ndaj Sopotit dhe Butrintit.
Në “Selman Stërmasi” të besuarit e Dajës nuk harxhuan shumë energji ndaj librazhdasve. Gilman Lika kaloi në avantazh kryeqytetasit në fund të pjesës së parë, por librazhdasit barazuan me Cotën pak para përfundimit të kohës së rregullt. Edhe kampionët në fuqi udhëtuan me formacion të dytë drejt Sarandës për të marrë të njëjtin rezultat 1-1 me Butrintin.
Në Grupin B fitoren me të thellë e arriti Partizani ndaj Kevitanit. Të kuqtë fituan 1-5, ku shënuan Jaupaj, Bardhi, Vatnikaj dhe dy herë sulmuesi izraelit Azubel, ndërsa për Kevitanin finalizimi i vetëm që ishte dhe i pari i sfidës, mban firmën e Toskës. Teuta nuk shkoi më shumë se barazim 0-0 në fushën e Shënkollit, ndërsa Vllaznia fitoi lehtësisht 0-3 në Mamurras.
Rezultati surprizë i këtij raundi u shënua në takimin Iliria – Flamurtari, që përfundoi 1-0 për vendasit, ndërsa Korabi barazoi 1-1 në me Kamzën në një sfidë mjaft të luftuar, ku të dy golat u shënuan pjesën ë dytë. Ermir Rezi i afruar gjatë merkatos së verës te kamzalinjtë i dha avantazhin skuadrës së tij në minutën e 52, ndërsa në të 89-ën Prenci barazoi rezultatin, që e bën favorit Korabin për të vijuar më tek.
Në ndeshjet e tjera të Grupit B Besa barazoi 1-1 me Tërbunin, Burreli – Kastrioti përfundoi 3-1, ndërsa Erzeni – Besëlidhja 1-3.
Grupi A
Butrinti-Skënderbeu 1-1
Tomori-Kukësi 0-3
Sopoti-Tirana 1-1
Turbina-Laçi 0-2
Shkumbini-Bylis 1-3
Elbasani-Luftëtari 0-1
Dinamo-Pogradeci 2-1
Lushnja-Apolonia 1-3
Grupi B
Kevitan-Partizani 1-5
Shënkolli-Teuta 0-0
Mamurrasi-Vllaznia 0-3
Iliria-Flamurtari 1-0
Besa-Tërbuni 1-1
Kamza-Korabi 1-1
Burreli-Kastrioti 3-1
Erzeni-Besëlidhja 1-3