Shifrat tregojnë se të rinjtë po braktisin studimet në Shqipëri. Janë vetë zyrat e INSTAT që e konfirmojnë këtë. Sipas të dhënave në katër vitet e fundit, për çdo vit akademik po ulen më pak studentë në auditorët e universiteteve shqiptare. Në vitin 2018 u regjistruan rreth 129 mijë studentë, prej të cilëve 23 mijë janë regjistruar në universitetet private, sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT. Në krahasim me një vit më parë, numri i studentëve ra me 7%. Rënia ka qenë më drastike duke iu referuar 4 viteve më parë, ku numri i studentëve shënoi rekord prej rreth 174 mijë. Sot në auditorë ulen 44 mijë studentë më pak. Vetëm në Universitete publike numërohen rreth 37 mijë studentë më pak.
Studentët nuk janë tkurrur vetëm në arsimin publik. Edhe në universitetet private tkurrja e numrit të studentëve ka nisur më herët. Në 2012-n ishin të regjistruar në universitetet private rreth 35 mijë studentë. Aktualisht në universitetet private studiojnë 23 mijë studentë, rreth 11 mijë studentë më pak. Rënia e studentëve në univeristete privat lidhet dhe me mbylljes e shumë institucioneve të arsimit të lartë jo publik të cilat nuk plotësonin kushtet. 23 universitete private nuk kishin asnjë student në vitin 2018, sipas tabelës së publikuar nga INSTAT.
Ulja e numrit të studentëve po ndikohet kryesisht nga tendenca e plakjes së popullsisë, por edhe nga emigracioni i të rinjve. Sipas të dhënave të INSTAT, popullsia e grup moshës 15-24 vjeç u reduktua me 55 mijë persona në 2017-n, në krahasim me vitin 2014. Pesha e kësaj grupmoshe ka zbritur në 16% të totalit në vitin 2017, nga 19% që ishte një dekadë më parë (në 2007-n).
Rënie ka të të gjitha ciklet, por më e forta është në studentët e arsimit të lartë (-44 mijë), më pas në ciklin e mesëm (-32 mijë) dhe në ciklin e lartë të arsimit bazë (-32 mijë).