INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Të shkruash me gabime tek Teatri Kombëtar apo në Universitet!

Të shkruash me gabime tek Teatri Kombëtar apo në Universitet!

Publikuar më: 10:36 23-03-2016

Në institucionet tona publike të shkruash shqip është një betejë e vështrirë. E problemi bëhet edhe më i rëndë kur shkruhet në gjuhë të huaj apo me gabime edhe në vatrat e dijes në universitete. Në një faqe në facebook, Këshilluesi gjuhësor preken dy raste duke dhënë dhe argumentat.
Rasti i parë është në Teatrin Kombëtar.

Ja ç’shkruan gjuhëtari:

Herën e fundit ndoqa komedinë “Zbutja e kryeneçes” të Shekspirit, me regji të Elma Doresit. M’u desh ta shihja shfaqjen nga lozha e teatrit, pasi kisha blerë biletë lozhe. Në të dyja anët e korridorit e pashë përsëri të shkruar kështu: “Llozhat 1-11” dhe “Llozhat 12-22”.


E pse “llozhat”, kur në të gjithë fjalorët e shqipes e gjen në trajtën “lozhat”?! Mos vallë është ndikim i rusishtes?

Hap “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë 1980 dhe do ta gjesh të shkruar kështu:
lozhë,- a f.sh. –a, -at. 1. Pjesë e veçuar, e ngritur anëve të platesë në sallën e një teatri a kinemaje, në të cilën mund të rrinë disa shikues. Për shembull: Lozhë qendrore (anësore). Lozhat e teatrit. Biletat e lozhave. 2. Ballkon i futur në ndërtesë. Për shembull: Hyrje me një lozhë e një ballkon.

Ja edhe ndikimi i gjuhës ruse tek fjala "lozhë", fotografuar nga Fjalori rusisht-shqip, i botuar në Moskë, më 1954.

Gjuhëtari ka zbuluar dhe një tjetër gabim të rëndë në mjedistet e Universitetit të Sporteve, ku në një prej ambjenteve shkruhej, SALLA LOJRAVE, në një kohë që duhej SALLA E LOJËRAVE.

Ja "çudia" sipas gjuhëtarit:

U ndodha dje në mjediset e jashtme të Universitetit të Sporteve në Tiranë. Ndërtesa kryesore ishte duke u rindërtuar e shtuar me kate të reja. Përballë saj, në anën e poshtme, ishte një ndërtesë tjetër dykatëshe ku shkruhej me shkronja të mëdha “SALLA LOJRAVE”. Pikërisht në këtë ndërtesë hynin e dilnin studentë, pasi këtu zhvillohej mësimi dhe fjalët e shkruara gabim na tërhoqën vëmendjen.
Natyrshëm na lindi pyetja: Si ka mundësi që gabimi është me shkronja të mëdha dhe askush nuk shqetësohet për vite të tëra?! Madje, jo një, po dy gabime drejtshkrimore në një emërtim prej dy fjalësh. Duhet shkruar e shqiptuar “SALLA E LOJËRAVE” dhe jo “SALLA LOJRAVE”.

Siç shihet, mungon nyja e rasës gjinore –e dhe zanorja –ë e emrit “lojërave” në numrin shumës.
Duhet të dimë një gjë: Nyja është pjesë përbërëse e domosdoshme e trajtës së gjinores. Ajo e dallon këtë rasë nga dhanorja e rrjedhorja. Për shembull: gjinore: i (e, të, së) popullit; dhanore e rrjedhore: popullit. Prandaj është i gabuar mospërdorimi i nyjës në raste si: liqeni [i] Shkodrës, salla [e] lojërave, stacioni [i] trenit, oborrit [të] shkollës, qytetit [të] Korçës, stinës [së] pranverës etj. Në të gjitha rastet e mësipërme nyja duhet shkruar dhe duhet shqiptuar rregullisht.

Article Logic
Execution time: 0.0044791698455811