Policia ka zhvilluar një operacion anti-drogë mbrëmjen e sotme në zonën e ‘Don Boskos’ rreth orës 21:00. Një makinë nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të çajë postbllokun.
Mësohet se nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur drejtuesi i mjetit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, por dyshohet se është person me precedentë penale për trafik lëndësh narkotike.
I plagosuri është dërguar në spitalin e Traumës në kryeqytet ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka bërë të mundur sekuestrimin e një sasie lënde narkotike.
Sakaq, vijon aksioni anti-drogë i policisë.