Miopia do të bëhet shkaku kryesor i humbjes së shikimit deri në vitin 2050, me një rritje shtatëfish të miopisë patologjike, duke e bërë atë edhe arsyen më të rëndësishme që do të shkaktojë verbëri të përhershme.
Deklarata është bërë nga Brien Holden, studiues në institutin “Brien Holden Vision”, në Sidnej të Australisë.
Ai shpjegon se ky problem te njerëzit do të vijë për shkak të ndryshimeve të stilit të jetesës dhe shikimit të ekraneve të kompjuterit gjatë gjithë kohës. Ky është një tetëfishim i rritjes së numrit të syzeve te miopët në vetëm disa dekada.
Studimi analizoi 145 kërkime që kanë pasur 2.1 milionë pjesëmarrës, të cilat datojnë nga viti 1995 e deri më tani. Kjo analizë e të dhënave i lejoi ata të vlerësojnë ndryshimet e së ardhmes. Rezultatet treguan se 1.4 miliardë njerëz (23 për qind e popullatës së botës) vuante nga miopia në vitin 2000, që pritet të rritet në 4.8 miliardë njerëz në vitin 2050.
Përse po përkeqësohet shikim ynë? Shtimi i miopisë shihet gjerësisht si i nxitur nga faktorët mjedisorë, ndryshimet në stilin e jetesës që vijnë si pasojë e një kombinimi të kalimit të më pak kohe në natyrë dhe rritjes së aktiviteteve të punës.
Kjo do të thotë se ne po ua ngulim më gjatë sytë ekraneve, po punojmë më tepër në mjedise të brendshme dhe shikimi i objekteve nga afër po dëmton shikimin tonë në largësi.