Eurostat ka hartuar raportin “A është vendi juaj popullor për turistët?” dhe ka anketuar banorë të shumë shteteve të botës në lidhej me vendet që preferojnë më shumë për të pushuar. Grekët janë të vetmit në Europë, që si zgjedhje e kanë Shqipërinë. Në Shqipëri grekët shpenzojnë 2.1% të netëve më pas vijnë gjermanët së bashku me amerikanët me 1%.
Po pse grekët zgjedhin Shqipërinë? Kjo ka një shpjegim pasi në Greqi jetojnë rreth 40% e emigrantëve shqiptarë, të cilët janë të pajisur me pasaporta greke. Po sa i përket shpenzimve grekët, që vijnë me pushime në Shqipëri janë të kursyer. Ata shpenzojnë pak, rreth 27 euro në ditë dhe qëndrojnë rreth 11 net.
Vetë Greqinë e vizitojnë më shumë turistët gjermanë, të cilët shpenzojnë 153 euro në ditë dhe rrinë për rreth 9.8 ditë, të ndjekur nga britanikët, që shpenzojnë 71 euro në ditë.
Kurse Spanja është zgjedhja e parë për italianët, gjermanët, francezët, danezët, suedezët dhe norvegjezët. Vetë spanjollët preferojnë më shumë të shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani e Francë.
Ndërkaq Italia është e preferuara e parë e austriakëve, rumunëve dhe sllovenëve. Ndërsa vetë italianët shkojnë më shumë në Spanjë, ku shpenzojnë 120 euro në ditë dhe si destinacioni dytë preferojnë Kroacinë me 90 euro në ditë, më tej Mbretërinë e Bashkuar, ku një italian shpenzon mesatarisht rreth 90 euro në ditë.
Polakët, të cilët vitet e fundit po vijnë dhe në Shqipëri, si destinacion kryesor të pushimeve kanë Gjermaninë, ku shpenzojnë 34 euro në natë, më pas Mbretërinë e Bashkuar, me 33 euro në natë dhe të tretën, Italinë, me 65 euro në natë. Polakët janë në fakt një nga popujt më dorështrënguar, me shpenzime ditore të turistëve prej vetëm 27 euro, nga 59 euro që harxhojnë francezët, 77 euro që shpenzojnë gjermanët, 72 euro britanikët, 49 euro spanjollët dhe 63 euro italianët.
Bullgarët shkojnë në Greqi, kroatët dhe hungarezët kanë zgjedhje të parë Gjermaninë.