INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tensione në Gjirin Persik, SHBA dërgon 500 ushtarë. Përgjigjet Irani: S’kemi frikë nga lufta

Tensione në Gjirin Persik, SHBA dërgon 500 ushtarë. Përgjigjet Irani: S’kemi frikë nga lufta

Publikuar më: 12:14 20-07-2019

Përshkallëzohen tensionet në Gjirin Persik pas sekuestrimit të një naftëmbajtëse britanike në ngushticën e Hormuz. Arabia Saudite deklaron ndërkohë se do të presë në territorin e saj ushtarë amerikanë. Një burim zyrtar i ministrisë saudite të mbrojtjes konfirmoi se Mbreti Salman pranoi të mirëpresë forcat amerikane për të mbrojtur sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon. Bëhet fjalë për rreth 500 ushtarë amerikanë.

Teherani ka reaguar duke u shprehur se nuk dëshiron luftë por nuk kanë frikë nga askush.

Tensionet u rritën sërish në Gjirin Persik pas vendimit të Rojeve të Revolucionit Iranian për të sekuestruar naftëmbajtësen britanike me 23 persona në bord në ngushticën e Hormuz.

Naftëmbajtësja sipas tyre nuk kishte respektuar kodin ndërkombëtar dhe sekuestrimi u bë pas kërkesës së autoriteteve të portit dhe marinës në provincën e Hormozgan. Sipas tyre naftëmbajtësja kishte fikur lokalizuesin dhe kishte lundruar duke kaluar nga dalja dhe jo hyrja e ngushticës duke injoruar paralajmërimet.

Mbrëmjen e së premtes u përhap lajmi për një sekuestrim të dytë, kësaj here të një naftëmbajtëse liberiane e cila do të shkarkonte naftë në Arabi Saudite.

Presidenti amerikan Donald Tramp foli për Iranin në një bisedë telefonike me homologun francez Emanuel Makron dhe paralajmëroi Teheranin që të mos bënte asnjë gabim, përndryshe do të paguante një cmim të lartë si askush tjetër më parë.

Për të shmangur sa shumë konfliktet edhe Britania u ka bërë thirrje anijeve të saj të qëndrojnë për pak kohë larg nga Gjiri i Hormuzit.

Article Logic
Execution time: 0.0038580894470215