INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tensionet Kosovë-Serbi, ministrja Kodheli i dërgon letër NATO-s

Tensionet Kosovë-Serbi, ministrja Kodheli i dërgon letër NATO-s

Publikuar më: 19:37 15-02-2017

Ndërkohë që u duk sikur situata e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë u ul pas takimit të zyrtarëve më të lartë mes dy vendeve, ku pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të BE-së, Tirana zyrtare ka ndërmarrë një veprim konkret në mbështetje të Kosovës.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë Mimi Kodheli dhe homologu i saj kroat Damir Krstičević, i cili është njëkohësisht edhe zëvendëskryeministri i Kroacisë, i kanë dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në lidhje me zhvillimet e fundit të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Në letrën e tyre, Kodheli dhe Krstičević, dënojnë retorikën nacionaliste nga politikanë serbë dhe veprimet konkrete në kufi, për të cenuar sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe destabilizuar situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, ndër të tjera, dy ministrat kërkojnë nga sekretari Stoltenberg të rishikohet Plani Operacional i misionit paqeruajtës në Kosovë pas zhvillimeve të fundit atje, si dhe mbështesin shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në Forcat e Armatosura të Kosovës(FAK).

Ministrat Kodheli dhe Krstičević e mbyllin letrën duke shprehur angazhimin e tyre për të siguruar se përpjekjet kombëtare dhe kolektive do të jenë të vazhdueshme dhe të fokusuara për të promovuar paqe, nxitur dialog dhe përmirësuar bashkëpunimin në çështjet e sigurisë.”- thuhet ndër të tjera në letrën e ministrave të Mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kroacisë.

Article Logic
Execution time: 0.0042619705200195