Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, ka reaguar edhe kreu i bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit politike të ndodhura në vend ka theksuar se Partia Socialiste vijon të jetë forca udhëheqëse në vend dhe e fokusuar në gjerat e rëndësishme që kanë më shumë impakt tek qytetarët. Veliaj është shprehur gjithashtu se bashkimi bën fuqinë, dhe se koalicioni është më i fortë se kurrë, dhe i tillë do të vazhdojë të jetë.
“Unë e kuptoj urinë mediatike, por një parti e matur është e fokusuar tek gjerat e rëndësishme, janë ato që japin ushqim tek çdo shqiptar. Harxhimi i kohës me telenovela nuk i bën mirë Shqipërisë. Qytetarët presin që qeveria të bëjë punë, pasi kjo u interesion më shumë. Di të them se bashkimi bën fuqinë dhe ne jemi më të bashkuar se kurrë. Unë investoj në këtë ekip, sepse është ekipi më i fortë. Bashkimi bën fuqinë, sot jemi më të bashkuar se kurrë dhe besoj se kështu do të jemi. Të vendosur për të pasur një fitore më të thellë këtë vit. Me aleancën që kemi me LSI është nje projekt përtej një mandati…është konceptuar bashkim i së majtës përtej një mandati besoj që kështu do jetë.’- tha Veliaj.
Ndërkohë i pyetur për shkarkimin e ministrit të drejtësisë Ylli Manjani nga kryeministri Rama, Veliaj tha se është detyrë e ‘kapitenit’ të vendosë për ekipin.
“Unë nuk jam anëtar i qeverisë, por sigurisht është ‘kapiteni’ ai që vendos për skuadrën. Unë lashë skuadrën përshembull për të krijuar një tjetër ekip. PS është forca kryesore dhe nuk ka zëra brenda saj kundër koalicionit me LSI”- u shpreh Veliaj.