Me hyrjen në fuqi të Kodit Rrugor, masat administrative për shkelësit e saj janë shumëfishuar. E kjo duket se ka rritur dhe tendencën që shkelësit e Kodit Rrugor të tentojnë të korruptojnë efektivët e policisë. Një rast i tillë është shënuar këtë të mërkurë në Elbasan, por që nuk ka qënë me “fat” për drejtuesin e automjetit.
Njoftimi i Policisë:
“Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
P.K, 42 vjeç, banues në fshatin Hajdaran.
Ky shtetas u arrestua nga efektivat e Policisë pasi në aksin rrugor Elbasan – Cërrik, në vendin e quajtur “Ura e Shkumbinit” është ndaluar nga Patrulla e Policisë Rrugore Elbasan, për arsye se ka qënë duke drejtuar mjetin Kamionçinë, në shkelje të Kodit Rrugor.
Në momentin e ndalimit ky shtetas ka tentuar t'i jap një shumë parash punonjësit të Policisë Rrugore për të mos marrë masë administrative”.