INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tentoi të mbante një tubim provokues, polica ndalon kriminelin e luftës, Sheshel

Tentoi të mbante një tubim provokues, polica ndalon kriminelin e luftës, Sheshel

Publikuar më: 10:47 07-05-2018

Lideri i radikalëve serbë, Vojislav Sheshel i dënuar për krime lufte u ndalua të mbante një tubim të diskutueshëm të dielën, në Serbi. Policia pengoi Sheshelin, kreun e Partisë Radikale Serbe ultra-nacionaliste, duke mos e lënë të hynte në Hrtkovci. Euronews shkruan se kreu i radikalëve kishte planifikuar të mbante një mbledhje në fshat, për të shënuar përvjetorin e një fjalimi që kishte mbajtur aty në vitin 1992, të cilin gjykatësit e krimeve të luftës të Kombeve të Bashkuara e konsideruan si një krim kundër njerëzimit për nxitjen e dëbimit dhe persekutimit. Autoritetet ndaluan tubimin, duke besuar se do të kishte sjellë reagim të ashpër te minoriteti kroat, i mbetur në Hrtkovci. Shumica e popullsisë kroate u largua nga fshati gjatë konflikteve të viteve 1990. Para shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kroatët përbënin 40 për qind të popullsisë, ndërsa tani ka mbetur 10 për qind. Shesheli dhe partia e tij kishin lajmëruar para disa javësh se do të organizonin një tubim në fshat në 26 vjetorin e fjalimit, i cili ndodhi mes luftërave pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Fjalimi i tij i mbajtur një çerekshekulli më parë çoi në largimin e një numri të madh të kroatëve etnikë dhe ai u dënua kohët e fundit nga një gjykatë e OKB-së për krimet e luftës. Të dielën, Shesheli dhe dhjetëra mbështetës të tij u ndaluan nga policia në fshatin fqinj të Jarakut. Ai foli me mediet para se të kthehej pas rreth gjysmë ore. "Meqenëse regjimi e ka ndaluar tubimin, ne kemi të drejtë të provokojmë regjimin", tha Shesheli për gazetarët. Ai vazhdoi të mohonte çfarëdo qëllimi për të provokuar kroatët lokalë, duke thënë se ata të gjithë ishin qytetarë të Serbisë. Por, ndërsa kreu i radikalëve po largohej, mbërritën mbështetësit e Partisë Liberale Demokratike (LDP) të cilët mbanin një flamur që lexonte "Shesheli është një kriminel lufte". Sheshel themeloi Partinë Radikale Serbe ndërsa ishte zëvendëskryeministër nën udhëheqjen e Slobodan Millosheviçit gjatë luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë në fillim të viteve 1990, në të cilat u vranë më shumë se 100,000 njerëz.

Article Logic
Execution time: 0.0033700466156006