U diskutua gjerësisht se si Papa Françesku do të bëhej papa i parë që ka marrë pjesë në një film, por duket se këto pretendime janë të destinuara të ngelen thjesht zëra.
Kjo pasi ishte vetë Vatikani, në një deklaratë radiofonike, që e kundërshton fort këtë thashethem. Nëpërmjet Monsinjor Dario Vigano, kreu i departamentit të komunikimit të Vatikanit, është lëshuar deklarata e fortë: “Papa nuk është aktor!”. Megjithatë ai nuk mohoi se disa pjesë nga filmimet e “Beyond the Sun” mund të përfshinin pamje të Papës, por kundërshtoi katëgorikisht mundësinë që Papa të luajë në një realizim kinematografik.
AMBI Pictures, kompania që do të realizojë filmin, e kishte përshkruar atë si “historinë e aventurës së një familjeje ku fëmijë nga kultura të ndryshme luajnë rolin e apostujve duke kërkuar Zotin në botën rreth tyre”. Në vazhdim të deklaratës, bëhet e ditur se Vatikani punon fort për të ruajtur imazhin e Papës duke vendosur kufizime strikte ndaj gjithë mediave audiovizive, dhe reagimi i Viganos është një shenjë e fortë që Vatikanit nuk i pëlqyen aspak këto thashetheme.