INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tërhiqet apo jo nga futbolli? Ja deklarata publike e Lorik Canës [FOTO]

Tërhiqet apo jo nga futbolli? Ja deklarata publike e Lorik Canës [FOTO]

Publikuar më: 11:01 01-09-2016

Shumë fjalë kanë qarkulluar rreth dëmtimit dhe të ardhmes së Lorik Canës në futboll, dhe vetë lojtari tha se shumë shpejt do të dilte me një deklaratë.

Ai nuk vonoi shumë dhe nëpërmjet rrjeteve sociale sqaroi të gjithë fansat dhe futbolldashësit rreth gjendjes së tij aktuale dhe të ardhmes në futboll. Loriku zyrtarizoi edhe një herë tërheqjen e tij nga kombëtarja shqiptare e futbollit pasi tha se u ndje shumë i nderuar që përfaqësoi popullin e tij dhe zgjodhi momentin e duhur për diçka të tillë pas arritjes më të madhe, përfaqësimin në kampionatin europian. Më pas mori pak rreshta për të treguar mbi të tashmen dhe të ardhmen e tij futbollistike.

Ish lojtari i Lazios tregon se pasi sapo ka mbushur 33 vjeç dhe ka luajtur për 14 vite në nivelet më të larta të futbollit, ka vendosur që të marrë pak kohë për t’u rekuperuar nga dëmtimet e tij. Për këtë arsye ai tregon se ka refuzuar të gjithë propozimet që i kanë ardhur, që të shërohet plotësisht dhe të rikthehet për projekte dhe arritje të reja. Në këtë mënyrë ai nuk rrëfen atë që është përfolur shumë, tërheqjen e tij përfundimtare nga futbolli pasi thotë se do të rikthehet me projekte të reja.

Por ajo që pyesim veten është, si mund ta bëjë këtë duke vendosur që të mos lidhet nën kontratë nga asnjë ekip? Një vit larg fushave apo edhe 6 muaj në rastin më të mirë, në rast se vendos të federohet në janar, janë shumë për një lojtar. Edhe më shumë kur mendon se kampioni ynë sapo i ka mbushur të 33 vjetët. I urojmë shërim të shpejtë dhe rikthim gjithaq të shpejtë në fushat e blerta, dhe pse jo sërish me shiritin e kapitenit në krah, shirit që për shumë kohë e ka nderuar me çdo fanellë që ka luajtur.

Article Logic
Execution time: 0.0044131278991699