INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tërhiqet Ted Cruz, Trump drejt nominimit republikan për presidencialet

Tërhiqet Ted Cruz, Trump drejt nominimit republikan për presidencialet

Publikuar më: 08:13 04-05-2016

Donald Trump është fituesi i padiskutueshëm i Paraprakeve të Indianas, duke e afruar gjithnjë e më shumë drejt emërimit partiak. Biznesmeni nga Nju Jorku tashmë ka 1041 delegatë, ndërsa për të fituar nominimin partiak, një kandidati i duhen 1237 delegatë.

Rivali i tij kryesor, senatori nga Teksasi Ted Cruz, në një fjalim të martën në mbrëmje njoftoi se do të largohet nga gara. Gara në Indiana ishte shpresa e vetme e tij për të ndalur hovin e kandidatit Trump.

Në kampin demokrat, sipas shtypit amerikan pritet të ketë fituar Bernie Sanders në një garë të ngushtë me rivalen Hillary Clinton.

“Në se fitojmë në Indiana, gara ka përfunduar,” u shpreh Donald Trump para votimeve në shtetin konservator të Indianës, ku fermat bujqësore ndërthurren me qendrat industriale.

Për demokratët, Sanders pritet të ketë fituar sipas parashikimeve, por Clinton ka shumë më tepër delegatë dhe për Sanders është matematikisht e pamundur të fitojë numrin e mjaftueshëm për të siguruar emërimin e partisë.

Trump filloi ta zhvendosë gjuhën e tij të ashpër të kritikave nga rivalët republikanë tek kandidatja e pritshme demokrate Hillary Clinton. Gjithnjë e më shumë duket se gara në nëntor do të zhvillohet mes dyshes Trump-Clinton.

Ai e kritikoi ashpër Clinton-in si sekretare shteti duke thënë se ajo ishte në gjumë gjatë sulmit terrorist të vitit 2012 në Benghazi të Libisë ku gjetën vdekjen katër amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori amerikan në Libi.

Trump u tha përkrahësve të tij se ai mund të fitojë ndaj Hillary Clintonit në shtetet ku republikanët zakonisht nuk fitojnë, ndonëse anketat e tanishme nuk tregojnë për një gjë të tillë.

Article Logic
Execution time: 0.0036671161651611