Vjosa tërhiqet në shtratin e vet, duke sjellë dhe largimin e ujit nga zonat e përmbytura. Ky është njoftimi i fundit nga Komiteti i Emergjencave, i cili tha se prurjet Vjosës kanë rënë poshtë nivelit kritik. Lumi është kthyer në shtratin e vet dhe po tërhiqet nga zonat e përmbytura.
Kjo ka bërë të mundur kthimin e rreth 80% të familjeve të evakuuara në shtëpitë e tyre. Ndërkohë ka vijuar puna për ngritjen e argjinaturës së re në Darzezë dhe ka përfunduar për 18 orë ndërtimi i urës së prishur.
Akset kryesore janë të hapura, me përjashtim të disa rrugëve rurale, ku po vijon puna për zhbllokimin e tyre. Gjithsesi, reshjet kanë shkaktuar dëme në ura dhe segmente rrugore, që kërkojnë ndërhyrje afatgjatë. Sipas Emergjencave Civile furnizimi me energji elektrike është normalizuar dhe po punohet për përmirësimin e cilësisë së ujit në ujësjellësit e prekur.