INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Tërmet në Ohër: E dini sa rrezikohet Shqipëria dhe objektet që rrezikojnë shembjen

Tërmet në Ohër: E dini sa rrezikohet Shqipëria dhe objektet që rrezikojnë shembjen

Publikuar më: 10:14 05-07-2017

Një seri tërmetesh kanë goditur dhe po godasin Maqedoninë. Prej dy javësh në Maqedoni janë regjistruar më shumë se 150 tërmete me magnitudë të ndryshme. Lëvizjet sizmike vazhdojnë ende në shtetin fqinj.

Lëkundjet e forta të tërmetit me epiqendër pranë fshatit Kosel, 12 km në verilindje të Ohrit, të cilat janë ndjerë edhe në vendin tonë, janë cilësuar si rizgjimi i vullkanit Duvallo. Këshillat për banorët e Ohrit është që ta kalojnë natën në tenda, pasi kjo është mënyra më e sigurt për t’i bërë ballë një tjetër tërmeti të mundshëm, shkruan intv.al.

Sa rrezikohet Shqipëria dhe objektet që rrezikojnë shembjen

Të dhënat historike tregojnë se tërmetet kanë shkatërruar krejtësisht disa herë Durrësin, teksa lëkundjet sizmike renditen të parat për katastrofat që mund t’i krijojnë vendit fatkeqësitë e jera natyrore. Shqipëria renditet e 43-ta në botë për rrezikun nga tërmetet, ndërsa lëkundjet shkatërruese mund të shfaqen çdo shekull.

Amfiteatri 2700-vjeçar i Durrësit, një vepër gjigante antike, u zbulua vetëm në fund të viteve ‘60. Vendasit thonë se shkak u bë fundosja e një fiku që zgjoi kuriozitetin edhe të arkeologëve për të zbuluar pse pema u zhyt thellë në tokë. Pas gërmimeve poshtë kodrës plot me banesa u gjet objekti gjigant antik 2700-vjeçar, Amfiteatri i Durrësit. Gërmimet zbuluan se poshtë qytetit të Durrësit ishin rrënojat e një qyteti antik të vjetër. Të dhënat historike tregojnë se në vitet 177 para Krishtit, 344 pas Krishtit dhe më vonë në vitet 506, 1273, 1279, 1869 dhe 1870 qyteti është shkatërruar totalisht. Më vonë, gjatë shekullit XX, vendin tonë e kanë prekur një numër tërmetesh të fuqishëm, ndër të cilët tërmeti i Shkodrës i vitit 1905; ai i Pogradecit, i vitit 1911; Tepelenës i vitit 1920; i Lushnjës i vitit 1959; i Korçës i vitit 1960; i Fierit i vitit 1962; i Dibrës më 1967; tërmeti i 15 prillit 1979 me epiqendër në territorin e Malit të Zi si dhe tërmeti i 9 Janarit 1988 në Tiranë,shkruan intv.al..

Objektet që rrezikojnë shembjen

Studimi i ekspertëve të sizmologjisë tregon se tërmetet përbëjnë rrezikun më të madh kombëtar për një katastrofë natyrore në Shqipëri. Dëmet që mund të krijohen në banesa do të përfshijnë ato objekte që janë ndërtuar me materiale që nuk u bëjnë ballë tërmeteve mbi 6 ballë dhe ndërtesa të vjetra, kryesisht ato para viteve 1960. Sipas studimit, objektet e ndërtuara me qerpiç, tullë, gur dhe betonarme dhe sistemet strukturore me mure mbajtëse, parafabrikate janë më të rrezikuara.
Objektet e ndërtuara para vitit 1960 nuk kanë rezistencë ndaj tërmeteve, ato të ndërtuara ndërmjet viteve 1960-1990 kanë mbrojtje të ulët sizmike, ndërsa ndërtesat pas vitit 1990 kanë mbrojtje të pamjaftueshme, pasi në shumë prej objekteve të ndërtuara në këtë kohë është abuzuar me numrin e kateve në raport me qëndrueshmërinë e themeleve.
Studimi tregon se kërkesat më të mëdha për sistemin kombëtar të emergjencës civile do të dilnin nga tërmetet që ndodhin në Durrës, Elbasan, Berat ose Vlorë, pasi burimet sizmike me ndikim të ulët janë të afta për të shkaktuar dëmtime strukturore dhe shembje që shkojnë nga 1,9 deri në 5.2% të fondit kombëtar të banesave. Ekspertët e Institutit të Sizmologjisë tregojnë se parametrat e parë sizmike që shoqëronin të parën hartë të zonimit sizmik të Shqipërisë u miratuan në vitin 1952. Më vonë, në vitet ‘60, është bërë një rishikim i rrezikut sizmik ku janë bërë përmirësime.
Pas tërmetit të vitit 1979, në Malin e Zi u miratua një hartë sizmike e Shqipërisë. Më vonë gjatë viteve ‘80 është bërë një rishikim i përgjithshëm i kushteve teknike të projektimit antisizmik dhe kanë hyrë në veprim rregullat e reja për qëndresën ndaj tërmeteve në vitin 1989, të cilat vijojnë të jenë sot e kësaj dite në fuqi. Vrojtimet e bëra deri tani për dëmet e shkaktuara nga tërmetet tregojnë se projektimi korrekt i një strukture duhet të marrë në konsideratë ndikimin e dukurive të mësipërme në themelet e godinës,shkruan intv.al..

Skenarët shqiptarë të tërmeteve

Nga vlerësimet e rrezikut sizmik rezulton se tërmetet me magnitudë 5,0 kanë një periudhë përsëritje prej 3.6 vjetësh, ndërsa tërmetet 5.5, 6, 6.5 dhe 7 ballë kanë një periudhë përsëritje 10, 29, 94 dhe 505 vjet. Sipas vlerësimeve, me probabilitet 75%, Shqipëria preket çdo vit, nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 4.7 ballë dhe një herë në 50 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të madhe 6.1 ballë dhe një herë në 100 vjet nga një tërmet me magnitudë jo më të lartë se 6.4 ballë,shkruan intv.al.
Ndër zonat më të ekspozuara nga tërmetet është bregdeti Lezhë–Ulqin, ku rrezikohen qytetet shqiptare të Shkodrës dhe Lezhës dhe qyteti Petrovac i Malit të Zi. Këto zona janë goditur nga tërmete 6-7 ballë në vitet 1905, Shkodra, në vitin 1985; Lezha me 6 ballë dhe në vitin 1979 Petrovaci me 7.2 ballë, që dha efektet gati në të gjithë Shqipërinë.
Zona e dytë sizmike është ajo e Ultësirës pranë Adriatikut me qytetet e Tiranës, Durrësit dhe Beratit. Pranë Tiranës në vitet 1988 është regjistruar një tërmet 6 ballë, në Durrës në vitin 1926 është regjistruar një termet 6,6 ballë dhe në Berat në vitin 1959 në termet 6.6 ballë.
Zona e tretë sizmike është ajo e bregdetit Jon me qytetet e Vlorës, Himarës, Tepelenës dhe Sarandës. Këto dy të fundit janë goditur në vitin 1920 nga tërmeti me fuqi 6.6 ballë, Himara është goditur në vitin 1930 nga një tërmet 6.6 ballë dhe Vlora në vitin 1962 nga një tërmet 6.6 ballë.
Zona e katërt është Kukës–Peshkopi, ku të dy këto qytete janë të ekspozuara. Në vitin 1998, në Kukës, është regjistruar një tërmet 6 ballë dhe në Peshkopi, një tërmet 6 ballë në vitin 1942.
Zona e pestë sizmike është ajo Dibër-Elbasan-Korçë, ku ekspozimin më të lartë e ka qyteti i Elbasanit. Në liqenin e Ohrit, është regjistruar në vitin 1911 një tërmet me fuqi 6.7 ballë dhe Leskovik në vitin 1919, një tërmet po me fuqi 6.7 ballë. Në Elbasan në vitin 1967 është regjistruar një tërmet me fuqi 6.6 ballë.

Historia shqiptare e fatkeqësive natyrore

Gjatë dekadave të shkuara, Shqipëria është goditur mesatarisht nga një fatkeqësi natyrore në vit. Në 30 vjet, midis 1980 dhe 2010, janë regjistruar 23 fatkeqësi të tilla. Prej tyre, nëntë fatkeqësi kanë qenë përmbytje, katër tërmete dhe tre goditje nga temperatura ekstreme – thuhet në një studim të bërë nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) në bashkëpunim me Qendrën për Çështje Europiane dhe të Sigurisë. Gjatë kësaj periudhe, referon studimi, për shkak të këtyre fatkeqësive, 163 njerëz humbën jetën, ndërsa rreth 4 milionë u prekën në një masë apo në një tjetër. Shqipëria është një vend me probabilitet relativisht të lartë të goditjes nga fatkeqësitë natyrore,shkruan intv.al.

Së bashku me disa vende të tjera të Ballkanit Lindor e Juglindor, ajo ka pësuar pothuajse çdo vit një tërmet me magnitudë më pak se 6.5 ballë.Shtatë qytetet më të mëdha të Shqipërisë futen në zonën me probabilitet 75% prej këtij rreziku. Rreth 10% e territorit shqiptar konsiderohet “e paqëndrueshme”, objekt i rrëshqitjes së dherave. Përmbytja e Ultësirës Perëndimore (sipas skenarit më të keq në 100 vjet) mund të prekë seriozisht 20 rrethe, 110 komuna, 341 fshatra, 85500 banesa (në rreth 7.9 milionë m²) rreth 565 mijë njerëz.Lëvizjet e popullsisë dhe zgjerimi i qyteteve ka çuar në rritjen e përqendrimit të popullsisë dhe vlerave materiale në rrjedhjet e poshtme të lumenjve. Shpërthimi i tetë digave të mëdha, në zonën qendrore të Shqipërisë, vlerësohet të prekë të gjithë qytetin e Elbasanit, Lushnjës dhe Divjakës (respektivisht mbi 100 mijë, 38 mijë dhe 10 mijë banorë). Studimi nxjerr në pah se, Shqipëria është një nga vendet mesdhetare që preket më shumë nga zjarret, pasi pyjet zënë rreth 29% të sipërfaqes. Në vitin 2007, sipërfaqja totale e djegur (për shkaqe natyrore apo nga njeriu) arriti 127 mijë hektarë./intv.al/

 

Article Logic
Execution time: 0.0039768218994141