Ministria e Shëndetësisë ka dhënë sërish informacion lidhur me qytetarët e lënduar nga tërmeti i fuqishëm 5.8 ballë i shkallës Rihter ditën e djeshme. Ministria thekson se 10 qytetarë ndodhen në observim mjekësorë, ndërsa pjesa tjetër ka lënë spitalet.
Sipas këtij institucioni, gjithsej kanë marrë shërim mjekësor 105 qytetarë të lënduar nga tërmeti, 75 prej të cilëve janë vendosur te “Trauma”, kryesisht me dëmtime të shkaktuara nga rrëzimet apo goditjet. Tashmë, MSH tregon se janë 7 qytetarë te “Trauma” dhe 3 në Spitalin e Durrësit, që vijojnë të marrin shërbim mjekësor.
MSH thekson se spitalet janë ne gatishmëri të plotë, me staf të përforcuar mjekësor. Ministria e Shëndetësisë ka venë në zbatim planin e gatishmërisë për rastet e emergjencave.