22 të vdekur dhe 1030 persona të plagosur. Ky është bilanci i deritanishëm nga tërmeti i fuqishëm që goditi mbrëmë pjesën Lindore të Turqisë. Ministri i Brendshëm turk Süleyman Soylu raportoi dje se 100 ndërtesa janë shkatërruar në Elazig.
Pas tërmetit, i cili ndodhi në thellësinë 6,75 kilometra nga sipërfaqja e tokës, dhe pas goditjes së parë u raportuan dhe 118 paslëkundje me madhësi që variojnë midis 2.7 dhe 5.4.
Menjëherë pas tërmetit fillestar, krahina u trondit më tej nga një seri pas goditjesh që shkonin midis magnitudave 5.4 në 3.3. Sipas raporteve fillestare, tërmeti u ndje në provinca deri në Adananë jugore dhe Samsunin verior, së bashku me Sirinë veriore dhe Irakun. Mes frikës dhe panikut që i ka pushtuar banorët e pjesës lindore të Turqisë, ku epiqendra ishte qyteti i Elazigut, e kaluan natën jashtë në temperatura nën zero.
Banorët e prekur u strehuan në palestrat e sportit apo salla konferencash si dhe në sheshet dhe parqet e qyteteve. Ndërkohë, qytetarët shprehen se tashmë kanë frikë të kthehen në banesat e tyre, ndërsa ndajnë edhe momentet e tmerrit me rrëfime në mediat turke.