Një person i armatosur me thikë ka vrarë një grua dhe ka plagosur pesë të tjerë gjatë një sulmi që mund të ketë karakter terrorist. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:30, në Russel Square, në Londër.
Autori i sulmit është një 19-vjeçar, i cili u arrestua nga policia.
Viktima e sulmit është një grua rreth të 60-ave, identiteti i të cilës nuk u bë i ditur.
Oficeri i antiterrorit në Scotland Yard, Mark Rouli, u ka thënë mediave britanike se 19-vjeçari që kreu sulmin mund të ketë probleme mendore, megjithatë nuk përjashtohet mundësia e një sulmi terrorist.
Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadik Khan, u bëri thirrje qytetarëve të jenë të qetë dhe vigjilentë, ndërsa policia vijon hetimet për motivet e sulmit.
Ka dyshime se autori i sulmit mund të ketë pasur bashkëpunëtorë.