Një aksion policor ndaj një personi të shpallur në kërkim për vjedhje ka terrorizuar banorët në kryeqytet, siç duket në pamjet e siguruara nga Jetaoshqef.al. Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e një personi në një ambient publik, ku ka pasur të shtëna pasi i riu që po arrestohej ka bërë rezistencë ndaj tyre. Sipas dëshmitarit që ka parë ngjarjen, policët nuk ishin të veshur me uniformë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Astiri, te Unaza e Re.
Njoftimi i plotë:
Agjentët e Komisariatit të Policisë Nr 3, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim: Ndue Koleci, 20 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas është kapur nga agjentët e Komisariatit të Policisë nr 3, pas informacioneve që disponoheshin se fshihej në zonën e “Unazës së Re” Tiranë.
Në momentin kur agjentët e policisë janë afruar për ta ndaluar, shtetasi Ndue Koleci, i ka bërë rezistencë punonjësve të policisë duke u larguar me vrap dhe është ndjekur prej tyre duke përshkruar një distancë të caktuar rruge nëpër rrugicat e lagjes.
Për këtë shtetas, Gjykata e Tiranës, me Vendimin Penal të datës 05.05.2016, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Vjedhje në bashkëpunim".