Policia ka arrestuar një person për ngjarjen që ndodhi gjatë natës në Dhërmi. Emiljano Nina, 23 vjeç, banues në Tiranë është personi që policia e Vlorës ka vënë në pranga pasi qëlloi me armë në një lokal nate duke tmerruar pushuesit. Mësohet se Nina ka qenë në një disko të njohur të zonës, ku ka qëlluar 4 herë në ajër me armë zjarri. Nuk ka pasur të plagosur apo të lënduar nga ky incident. Policia bën me dije se e gjithë ngjarja sipas ndodhi pas një sherri mes 23-vjeçarit dhe një personi tjetër. Dy personat kanë pasur konflikte personale me njeri-tjetrin.
Ndërkohë në media raportohet se Emiljano Nina, i cili njihet edhe si Emiljano Tasho,figuron person me precedentë të mëparshëm penalë. Ai është një nga personat e arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e ndodhur 3 vite më parë në një lokal në Linzë, ku mbeti i vdekur Enton Nikaj dhe u plagos Ismet Gazheri, ngjarje kjo e ndodhur në restorantin “Muraga”.