INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Thaçi e Vuçiç ndërkombëtarëve për korrigjim të kufirit: Na ndihmoni!

Thaçi e Vuçiç ndërkombëtarëve për korrigjim të kufirit: Na ndihmoni!

Publikuar më: 12:34 26-08-2018

Arritja e marrëveshjes për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka dominuar debatet në Forumin Evropian në Alpbach të Austrisë.
Thaçi e Vuçiç e kanë trajtuar këtë fazë të dialogut më tepër si dialog për arritjen e marrëveshjes shqiptaro – serbe, si dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha gjatë konferencës përmbyllëse në Alpbach se tani kur procesi i dialogut është në finale, Prishtina dhe Beogradi kanë nevojë për ndihmën e të gjithëve, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Presim marrëveshjen për kufirin, nëse nuk e arrijmë këtë e rrezikojmë të ardhmen evropiane. Andaj, kemi vendosur të eksplorojmë shumë mënyra dhe jemi të gatshëm të arrijmë deri te marrëveshja. Ne ende nuk kemi hyrë në fazën finale të procesit dhe ne kemi nevojë për mbështetje të BE-së dhe SHBA-së dhe nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje ligjore të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se nuk mund të ketë marrëveshje, nëse palët nuk pajtohet për çdo gjë.
“Unë nuk mund të them se jemi afër ose nuk jemi afër një marrëveshjeje të mundshme sepse për asgjë nuk pajtohemi, nëse nuk pajtohemi për çdo gjë.Unë jam gjithmonë pesimist sepse e di sa vështirë është të ecim në të ardhmen dhe unë e di sa shumë dallime kemi mes veti. Mirëpo, ka diçka të përbashkët që ne të dy palët duhet ta gjejmë një zgjidhje. Nuk është se e duam këtë për vete, por për popujt tanë”, tha presidenti serb.
Presidenti serb tha gjithashtu se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndodhë asnjëherë, kështu që e vetmja mënyrë, sipas tij, është që të gjendet një zgjidhje.
Në anën tjetër, presidenti Thaçi tha se tani është koha të vazhdohet me një shpejtësi më të madhe në procesin e dialogut.
“Presim nga BE-ja të na përkrahë dhe u bëjmë thirrje të gjithëve që të na përkrahin në këtë qëllim”, vijoi ai.
Austria, theksoi se është e gatshme të ndihmojë procesin që po lehtësohet nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Article Logic
Execution time: 0.0035488605499268