INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Thaçi: Jo kufij përgjatë vijave etnike, e as shkëmbim të popullatës me Serbinë

Thaçi: Jo kufij përgjatë vijave etnike, e as shkëmbim të popullatës me Serbinë

Publikuar më: 13:18 31-10-2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sqaron se nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike dhe nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve. “Do ta ruajmë shpirtin shumetnik dhe realitetin e Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Sigurisë së Munihut, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë. Kreu i Kosovës tha se tani është koha për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi pohoi se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është e vështirë pasi dy vendet ende nuk kanë rënë dakord për asgjë nga temat e diskutuara. “Bota ka ndryshuar. Evropa është në udhëkryq, me zhvillime të shumta të cilat shtrojnë pikëpyetje për të ardhmen. Ballkani Perëndimor ka mbetur i lënë në një situatë të paqartë. Në këtë realitet, Kosova dhe Serbia e gjejnë veten në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Jemi duke i shqyrtuar të gjitha idetë. Sa i përket marrëveshjes, për asgjë nuk jemi marrë vesh akoma”-u shpreh kreu i shtetit të Kosovës.
Duke pohuar se marrëdhënia mes dy shteteve nuk mund të qëndrojë siç është, Thaçi flet për dritë në fund të tunelit.“Por, edhe në rrethana të tilla unë shoh dritë në fund të tunelit. Pse? Fillimisht, të dy shtetet, për këtë jam i bindur, e dinë se nuk mund të vazhdojnë të qëndrojnë ashtu siç janë sot. Status quoja e tanishme nuk mund të mbahet më. Konflikti i tanishëm i ngrirë i dëmton të dy vendet në të gjitha fushat e jetës, në integrim, zhvillim ekonomik, në siguri”-sqaroi situatën Thaçi.
Kreu i shtetit ka thënë se dialogu ka marrë mbështetje, por edhe disa kritika në vendet tona dhe ndërkombëtarisht. “Nuk kam problem me këtë. Ishte e pritshme. Kritikat janë të shëndetshme për debatin e përgjithshëm, por edhe për vetë procesin. Posaçërisht, për një transparencë më të madhe dhe për përgjegjësi më të madhe të lidershipit, në të dy vendet. Në këtë proces, gjëja më e lehtë është të kritikosh. Dhe gjëja më e vështirë është të gjesh mënyrën për të arritur deri te marrëveshja. Duke arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kemi më pak populizëm në rajonin tonë. Më pak nacionalizëm. Më pak zëra që thërrasin për luftë dhe tragjedi. Më pak urrejtje dhe hakmarrje”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi shtoi se qëllimi kryesor i procesit të dialogut është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore për njohje të ndërsjellë dhe ulëse të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

“Marrëveshja duhet të jetë për normalizim dhe pajtim në mes të dy vendeve dhe dy popujve. Një marrëveshje, e cila është e obligueshme ndërkombëtarisht në mënyrë ligjore. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen e dyanshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje, kjo dhe çfarëdo marrëveshje tjetër nuk do të kenë kuptim. Marrëveshja duhet të jetë përfundimtare, jo e përkohshme. Duhet të jetë një marrëveshje, e cila do t’i sjellë më shumë rehati fqinjëve tanë dhe mbarë rajonit”, ka thënë Thaçi.

Article Logic
Execution time: 0.0036120414733887