Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, deklaron se ata që planifikuan vrasjen e Oliver Ivanoviçit kanë dashur të dëmtojnë imazhin e Kosovës. Thaçi ka dhënë një intervistë për Deutsche Wellen ku bëri të ditur se shpreson të zgjidhet sa më parë rasti dhe të gjenden autorët e vrasjes. “Është moment dhe ngjarje tragjike, mesazhi më i keq i mundshëm që kemi pasur të dëshmojmë e përjetojmë. Institucionet e Kosovës me ato ndërkombëtare po bëjnë përpjekjen maksimale që kjo vrasje kriminale të zbardhet. Më së paku kjo gjë i është dashur Kosovës tani”, tha Thaçi. Ai tha se ata që e kanë kryer këtë vepër e kanë menduar dhe mendojnë të dëmtojnë Kosovën dhe imazhin e saj. Qëllimi është që ta paraqesin Kosovën si një vend jo të qëndrueshëm. “Vetë Ivanoviçi kishte thënë se më shumë ka probleme me serbët se me kosovarët. Ai tha se ndihej i kërcënuar nga serbët”, ka shtuar Thaçi.